Skema e ndihmës ekonomike ka përplasur në debate dhe akuza të forta qeverinë dhe opozitën në seancën e sotme plenare në Kuvendin e Shqipërisë.
Edhe pse kërkesa e PD për mocion me debat me Ramën për këtë cështje u shty nga Konferenca e Kryetarëve në datë 15 mars, kjo nuk e pengoi opozitën që të lëshonte akuza ndaj qeverisë dhe ministres Manastirliu.
Kryetari i PD, Lulzim Basha akuzoi Ramën dhe ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale se ka hequr 20 familje nga ndihma ekonomike dhe për këtë duhet që të ishte marrë i pandehur nga prokuroria.
“Kjo qeveri nuk tha sot për mbi 20 mijë familje shqiptare që u është hequr ndihma ekonomike pa asnjë shpjegim. Asnjë ndjejë, zuzarët kanë zgjedhje shkojnë i blejnë me thesin e miellit me Habilajt dhe Balilajt, por pas zgjedhjeve i harrojnë. Po të kishim një prokurori të pavarur do ta merrte të pandehur marionetën e Ramës dhe vetë atë, pasi nuk ka krim më të madh’ tha ai.
Basha ftoi të gjithë qytetarët që të ngrihen në protesta për të larguar Ramën nga pushteti. “Ftoj qytetarët shqiptarë t’u bashkohen, pronarëve, studentëve, artistëve dhe punonjësve të Fierit që protestuan sot, që të marrim fatin tonë në duart tona, ne jemi shumica” tha Basha.
Pas tij, fjalën në foltoren e Kuvendit e mori kryeministri Edi Rama, që tregoi disa raste kur abuzuesit janë hequr nga ndihma ekonomike. Më pas Rama i ka cilësuar opozitarët si ‘zogjtë e korbave’. “Jemi këtu përballë zogut të korbave.
Ju keni arritur t’i jepni ndihmë ekonomike familjeve në nevojë 6 mijë lekë të vjetra, vini këtu dhe nuk lini fjalë të fjalorit pa thënë. 70% e aplikantëve të përjashtuar janë në moshën 24-44 vjeç, plotësisht të aftë për punë.
Vetëm në pak ditë 1211 njerëz kanë shkuar në dyert e zyrave të punës, ka të regjistruar si punëkërkues, ka dhe nga ata që refuzojnë. Kush është i aftë për punë dhe refuzon nuk meriton asnjë cent” deklaroi Rama.
Por pas deklaratës së Ramës se ‘jeni zogjtë e korbave’ opozita me Bashën në krye është drejtuar në foltore, teksa po fliste kryeministri duke iu drejtuar me fjalët “Si nuk keni turp”. Më pas deputetët e opozitës janë larguar nga salla e Kuvendit. Jashtë ambienteve të Kuvendit, Basha nuk i kurseu sërish akuzat ndaj qeverisë.
Në seancën e sotme plenare në Kuvend u zhvilluan edhe dy interpelanca me ministrat Nikolla, të kërkuar nga LSI dhe Manastirliu të kërkuar nga kryetari i grupit të PS, Balla.