‘Asnjë i burgosur me leje në shtëpi për Vitin e Ri’: del urdhri i i kreut të Burgjeve

Asnjë i burgosur nuk do të mund të marrë leje që të kalojë Festat e Fundvitit pranë gjirit të tyre familjar. Është Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve e cila ka pezulluar lejet shpërblyese dhe të veçanta për të gjithë të dënuarit, duke u hequr mundësinë një numri të konsiderueshëm personash të privuar nga liria, që të shijojnë festat e fundvitit në familjet e tyre. Urdhri që mban firmën e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Miklovan Kopani është i datës 20 dhjetor dhe efektet e tij do të zgjasin për një periudhë të pacaktuar, deri në një urdhër të dytë. Numri një i dikasterit qendror të Burgjeve, paralajmëron vartësit se nëse shkelin urdhrin do të mbajnë përgjegjësi administrative. “Lejet e planifikuara për periudhën e fundvitit për të dënuarit, të planifikohen për vitin 2017. Lista e planifikimit me dokumentacionin përkatës për secilin të dënuar të përcillet në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve. Bordi i lejeve shpërblyese në të gjithë IEVP të informojë personat me liri të kufizuar të cilëve iu është miratuar leja mbi ndryshimin e periudhës së kësaj leje”, thuhet në urdhrin e lëshuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.

Artikulli paraprakPËRPLASI PËR VDEKJE POLICIN E BURGUT, GJENDET E BRAKTISUR BMW-JA.
Artikulli tjetërBE, 90 MLN € SHQIPËRISË PËR TË NXITUR REFORMAT E ANËTARËSIMIT