Shembja e gurit një ditë më parë nga muret e kalasë “Rozafa” nuk është marrë shumë seriozisht nga asnjë prej institucioneve. Edhe pse jo pa rëndësi gjatë gjithë ditës së sotme asnjë prej institucioneve nuk ka bërë asnjë lloj reagimi apo qëndrimi publik. Madje për ironi të fatit masivi që u shkëput nga Rozafati gjëndet sërish aty, në rrugë por vetëm i spostuar pak metra më tutje për t’i dhënë mundësi mjeteve motorike që të qarkullojnë pak më lirisht.

Mesa duket mund të kenë qenë vetë banorët e zonës ato të cilët kanë bërë të mundur spostimin e gurit të madh në anë të rrugës. Shihet qartë se spostimi është bërë në mënyrë primitive duke qenë se kudo përreth vendit ku guri zuri vend pas shembjes është i mbushur me copëza më të vogla, çka tregon se spostimi mund të jetë bërë nga vetë banorët e zonës të cilët mbase janë detyruar që ta spostojnë për të kaluar me makinat e tyre. Policia e Shkodrës nuk ka bërë asnjë lloj njoftimi në lidhje me shembjen e atij masivi ashtu siç nuk ka reaguar as Bashkia Shkodër. Pavarësisht se guri që u shemb ndodhet në anë të rrugës sërish mund të jetë burim për aksidente sidomos për mjetet e agjencive të huaja turistike që kërkojnë të ngjiten në kalanë Rozafa por edhe për turistët që vijnë me makinat e tyre personale. Për të mos mjaftuar ende nuk ka asnjë reagim se cila është arsyeja që guri u shemb dhe se a mund të ketë ndonjë pjesë tjetër rreth e rrotul kalasë “Rozafa” që mund të jetë një kërcënim serioz për shembje dhe se se çfarë masash duhen marrë për të shmangur ndonjë shembje tjetër në të ardhmen që mund të rezultonte pse jo edhe me ndonjë aksident tragjik. Pavarësisht rëndësisë kombëtare që ka kalaja “Rozafa”, neglizhenca është e dukshme gjë e cila ndikon tejet negativisht tek turistët e huaj sa i përket promovimit të turizmit.

Artikulli paraprakDUKAGJIN, RIKTHEHET POLICIA NË LUFTËN KUNDËR KANABISIT
Artikulli tjetërKRAJA: STERILIZIMI JO PËRFUNDIMTARE PËR QENTË ENDACAK