Themeluesi i WikiLeaks, Julian Assange, i tha të enjten një gjykate në Londër, se do ta kundërshtonte ekstradimin e tij në Shtetet e Bashkuara, për t’u përballur me akuzat për komplot për sulm ndaj kompjuterave të Departamentit amerikan të Mbrojtjes.
Assange i tha Gjykatës në Uestministër nëpërmjet një lidhjeje të drejtpërdrejtë me video nga një burg i Britanisë, se nuk donte të “dorëzohej për ekstradimin, për shkak se kishte bërë punë gazetarie, për të cilën ai ka fituar një numër çmimesh dhe ka mbrojtur shumë njerëz”.
Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar që Julian Assange të ekstradohet, për t’u gjykuar nën akuzat për komplot, për bashkëpunimin me ish-analisten e zbulimit të ushtrisë amerikane Chelsea Manning, për të patur qasje tek kompjuterët e Pentagonit në mars 2010.
Manning shërbeu disa vjet burg për dhënin e dokumenteve sekrete kompanisë WikiLeaks dhe u burgos përsëri në mars, pasi refuzoi të dëshmonte para një jurie të madhe që hetonte organizatën.
Ben Brandon, avokati që përfaqëson Shtetet e Bashkuara, tha të enjten se dokumentet që janë menduar se janë shkarkuar nga një kompjuter me materiale sekrete në SHBA, përfshirë dhjetra mijëra raportime nga luftërat në Afganistan dhe në Irak, dhjetëra mijëra kabllo të Departamentit të Shtetit dhe qindra vlerësime të të burgosurve në qendrën e ndalimit Guantanamo Bay.
Nëse gjendet fajtor, Assange mund të dënohet deri me pesë vjet burgim. Por Assange është i shqetësuar se SHBA mund të akuzojnë atë për krime të tjera, më serioze. Një gjykatë britanike e dënoi atë me 50 javë burgim për shkeljen e masës së dënimit me kusht ndërsa ishte i fshehur në ambasadën e Ekuadorit në Londër për shtatë vjet derisa policia e mori atë në dorëyim në prill. Assange kërkoi strehim në ambasadë në vitin 2012 për të shmangur ekstradimin në Suedi, ku ai përballet me një akuzë për përdhunim, të cilën ai e ka mohuar.