Dy persona janë vrarë, ndërsa një tjetër ka mbetur i plagosur në një atentat me armë zjarri në zonën e “Ujit të Ftohtë” në Vlorë.
Ngjarja është shënuar në orët e mesditës, teksa personat janë qëlluar ndërsa kanë qenë në mjetin e tyre.
Viktima janë identifikuar si Arjan Hasani dhe Orest Rexho. Ky i fundit mësohet se është pronar i një lokali në lagjen “24 Maji” e njohur ndryshe si lagjja “Çole”.
Orest Rexho është gjithashtu kunati i Armando Sulejmanit, që mbeti i plagosur.
Raportohet se mjetit në pronësi të Arjan Hasanit i është prerë rruga 200 metra para se të dilte në rrugë kryesore dhe është qëlluar me armë ndaj tyre.
I plagosuri Armando Sulejmani është transportuar në spitalin e Vlorës për ndihmë mjekësore.
Burimet bëjnë me dije se ka marrë dy plumba, një në krah dhe një në këmbë por ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia e mbërritur në vendin e ngjarjes ka nisur hetimet. Forcat policore kanë ngritur postoblloqe në disa pika kryesore të qytetit për kapjen e autorëve.
Atentatorët kanë zgjedhur itinerarin nga unaza e qytetit, drejt Kuzum Baba mes zonave të banuara mbi spital deri në Babicë.
Burime bëjnë me dije se një makinë është djegur në Babicë.
Një nga viktimat e atentatit, Arjan Hasani, mësohet se ka qenë i përfshirë në dosjen e përgjimeve në Vlorë për sekuestrimin e 23 ton kanabis, ku ishte i përfshirë edhe ish-efektivi i policisë Renato Avduli.