Një person është vrarë dhe një tjetër ka mbetur i plagosur si pasojë e një atentati në Fushë-Krujë rreth orës 23:00.
Sipas informacioneve paraprake, mësohet se viktima dhe i plagosuri janë nga zona Niklës.
Viktima është Shpresa Basha 50 vjeç , ndërsa i plagosuri Mariglen (Marklen) Haka 28 vjeç, halla dhe nipi.
Fillimisht u dërguan të dy në gjendje të rëndë në Spitalin e Traumës në kryeqytet.
Por, nga burime spitalore është mësuar se Shpresa Basha ka ndërruar jetë në sallën e operacionit pak pas mesnatës.
Personi që i ka shoqëruar në Spitalin e Traumës hallën dhe nipin e qëlluar me armë, është vëllai i Durim Bamit.
Burimet hetimore thonë se atentati ka ndodhur në shtëpinë e 28-vjeçarit Haka, aty ku gjendej dhe halla e tij. Aurorët kanë hapur zjarr në drejtim të të riut, por plumbat kanë prekur edhe 50-vjeçaren.
Sipas dëshmive paraprake mendohet që të kenë qene katër persona të dyshuar që kanë marrë pjesë në atentatin ndaj Hakës. Uniformat blu janë duke punuar për kapjen e tyre.
Kush është Mariglen Haka
I njohur ndryshe dhe si Marklen Haka i lindur me 04.04.1991 është një personazh i njohur për policinë. Si një prej të ‘fortëve’ të Fushë-Krujës 28 vjeçari u arrestua në Shtator vitin 2018 së bashku me disa persona të tjerë gjatë një aksioni të RENEA-s në Nikël të Fushë-Krujës.
Ata u vunë në pranga për posedim pa leje të armëve dhe municioneve luftarake dhe shitjes së lëndëve narkotike.
Bashkë me të u arrestua edhe Valter Bami, vëllai i Durim Bamit, pikërisht personi që sonte transportoi në Spitalin e Traumës hallën dhe nipin që ranë pre e atentatit të armatosur.