Shkëmbim zjarri te Komuna e Parisit,plagoset rëndë 1 person
Një person është plagosur me armë zjarri mbrëmjen e sotme në kryeqytet te Komuna e Parisit pas një shkëmbimi zjarri në një ‘tunel’ poshtë një pallati. Nga shkëmbimi i zjarrit ka mbetur i plagosur një 24-vjeçar me inicialet L.H. ndërsa është dërguar në spital nga banorët e zonës dhe ndodhet në gjendje të rëndë për jetën. Nga të dhënat e para mësohet se 24-vjeçari ka marrë tre plumba nga shkëmbimi i zjarrit. I plagosuri ishte duke udhëtuar me makinën e tij tip ‘Benz’ me targa AA 777 RT kur është zënë në pritë. Autorët mësohet se kanë qenë dy dhe janë larguar me shpejtësi pas shkëmbimit të zjarrit me 24-vjeçarin. Deklarata e policisë Më datë 03.08.2017, në Numrin e Emergjencave 112, rreth orës 19:55, ka ardhur një telefonatë për shkëmbim zjarri në kryqëzimin e Komunës së Parisit. Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe ambulanca. Nga hetimet paraprake ka rezultuar se ka pasur një shkëmbim zjarri midis disa mjeteve, ku për pasojë ka mbetur i plagosur në shpatull shtetasi L.H., 24 vjeç, i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve. Janë ngritur pika kontrolli në hyrje-dalje të qytetit. Vazhdon krehja e zonës. Grupi hetimor po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.