Një natë pas atentatit me armë zjarri në Vlorë ku mbetën të plagosur dy persona, policia mësohet se ka shoqëruar 10 persona për marrjen në pyetje por ende nuk ka asnjë të arrestuar.
Ndërkohë në vendin e ngjarjes ku ndodhi krimi janë gjetur 10 gëzhoja.
Dy persona mbetën të plagosur mbrëmjen e të shtunës nga një atentat. Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Bashkimi” të Vlorës rreth orës 18:20, teksa ndaj Roland Çepaj dhe kunatit të tij Nikollaq Çepaj (Taullaraj) u qëllua me breshëri automatiku.
Ky i fundit pak ditë më parë kishte dalë nga burgu, pasi ishte arrestuar per plagosje në qershor të 2018.
Personat kanë qenë brenda një lokali, pranë rrugës Transballkanike, ndërsa mësohet se janë qëlluar nga një automjet.
Raportohet se atentatori ose atentatorët kanë ardhur nga rruga Transballkanike me një automjet, janë ndalur përpara lokalit, kanë qëndruar për pak minuta dhe me pas kane goditur me breshëri ne drejtim te dy personave.
Shënjestra Nikollaq Çepaj (Taullaraj)- 36-vjecari Nikollaq Çepaj (Taullaraj) ishte martuar me motrën e Roland Çepajt. Ai dyshohet se ka qenë edhe shënjestra e atentatit, ndërsa aksidentalisht u plagos edhe kunati. Taullaraj sapo kishte dalë nga burgu, pasi në qershor të vitit 2018 u arrestua për plagosjen me armë zjarri të Eraldo Lazajt brenda një lokali në lagjen ‘Pavarësia’.
Prishja e pazareve të drogës ose hakmarrje janë dy pistat ku po hetohet.