Atentati ndaj Çapjave, ADN-ja zbuloi vrasësin

Shkëlzen Hasanpapaj, i dyshuari për atentat në dëm të familjes Çapja, la në vendin e ngjarjes shumë prova që vërtetojnë autorësinë e krimit. Gjyjkata e Elbasanit kishte vendosur masën e sigurisë për Hasanpapaj që në nëntor të 2016-s. Prokuroria kishte dyshime të mjaftueshme dhe prova shkencore se ai ishte atentatori i Florenc Çapja në qershor 2016, ku mbeti i plagosur miku i objektivit të atentatit, Bledar Muça, si dhe një punonjëse policie. Prokuroria bëri publike provat e administratuara në vendin e ngjarjes, ndër të cilat objekte që shërbyen për identifikimin e autorit. Në vendngjarje u gjetën edhe një çantë kamuflazhi, arma e krimit, si dhe sende që dyshohet se ishin përdorur prej tij. Prokuroria kreu analizat e ADN-së, në bazë të të cilave u përftua profil i njëjtë gjenetik me të. Gjurmët e ADN-së së gjakut, të gjetura në armën e krimit, ishin të njëjta me ato të gjetura në çantën e tij dhe sendet e tjera të perdorura nga Hasanpapaj. Por dyshime që ky person mund të ishte autori i kësaj ngjarjeje erdhën edhe nga të dhëna të tjera. Në mungesë të tij, pasi ishte larguar nga Shqipëria një ditë pas krimit, analiza e ADN-së iu bë prindërve të tij dhe rezultoi se gjaku përputhej. Fakti që kishte edhe një vëlla i detyroi prokurorët t’i kryenin edhe atij një analizë ADN-je për ta përjashtuar nga të dyshuarit. Pasi rezultoi se gjaku i gjetur në vendin e ngjarjes nuk ishte i të vëllait, atëherë prokuroria e shpalli në kërkim që në nëntor Hasanpapajn, i cili u arrestua në ditët e para të shkurtit në Holandë. Por ndërsa për këtë rast ai akuzohet me prova, prokuroria ngre edhe dyshime se mund të ketë lidhje me masakrën e ndodhur në shkurt 2016, ku u vranë tre pjesëtarë të familjes Çapja dhe u plagosën 8 të tjerë.

Artikulli paraprakINCIDENTI NË BULQIZË, PROCEDIM PENAL INXHINIERIT KINEZ
Artikulli tjetërNDALOHET NGA POLICIA PËRMBARUESI PRIVAT