Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit, apo e njohur ndryshe si SPAK, i ka dërguar letërporosi një prej vendeve të BE-së, lidhur me persona me rekorde kriminale të implikuar në atentatin ndaj Prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoj,
ngjarje e ndodhur në nëntor të vitit 2019, ku mbeti I plagosur rëndë vetë prokurori dhe shtetasi Aleksandër Laho i njohur ndryshe si Rrumi i Shijakut, si edhe humbi jetën në spital shoferi i Ndojit, Andi Maloku.
Zyrtarë të prokurorisë kanë konfirmuar se është kërkuar informacion për disa persona me rekorde kriminale, që dyshohet të kenë lidhje të drejtpërdrejtë me atentatin e ndodhur te mbikalimi i Shkozetit.
Burimet janë të rezervuara për të dhënë detaje lidhur me identitetin e personave, për të cilët kërkohen të dhëna, ka mësuar se bëhet fjalë për disa eksponentë të botës së krimit, të njohur edhe nga autoritetet shqiptare, si pjesë e një grupi që operon në Durrës e Fushë Krujë.
Akuza është tashmë në pritje të ekzekutimit të letër-porosisë dhe ky fakt u bë i ditur në seancën gjyqësore, që u zhvillua këtë të enjte në Gjykatën e Posaçme, ku i dyshuari kryesor, Redjan Rraja, u informua sipas ligjit për të gjitha veprimet e deritanishme të kryera nga prokuroria.
Rraja është i dyshuari i vetëm i arrestuar për atentatin e ndodhur nëntorin e vitit të kaluar, ku nga breshëritë e plumbave, që u derdhën mbi automjetin e prokurorit, mbeti i plagosur prokurori Arjan Ndoj, miku i tij, Aleksandër Laho alias Pëllumb Muharremi, i njohur si “Rrumi”, si dhe shoferi Andi Maloku, i cili ndërroi jetë pak ditë më vonë në spital.
34-vjecari nga Fushë Kruja i ka mohuar akuzat, por prokuroria këmbëngul se ka prova të forta shkencore që e implikojnë atë në ngjarje. Dyshimet janë se krimi ka lidhje me përplasjet e grupeve kriminale për çështjen e pronave në bregdet.
Deri më tani, prokuroria nuk ka mundur të sqarojë se kush ishte objektiv i atentatit, prokurori Ndoj apo miku i tij, Rrumi, ky i fundit një eksponent i njohur në botën e krimit.