Partia Demokratike denoncoi sot se kryebashkiaku i Hasit ka propozuar dhënien e titullit Qytetar Nderi për atentatorin e liderit të demokracisë Azem Hajdari.
Flamur Noka nga selia blu tha se PD disponon vendimin ku ish-deputeti i PS-së Gafur Mazreku propozohet të nderohet me titullin më të lartë që jep pushteti vendor.
Noka: Dy dekada pas atentatit brenda në parlament kundër Azem Hajdarit, atentatori deputet i Partisë Socialiste në atë kohë Gafur Mazreku propozohet nga Edi Rama për ti dhënë titullin Qytetar Nderi i Hasit.
Partia Demokratike disponon propozimin që kryetari i bashkisë së Hasit i ka bërë këshillit baskiak për të nderuar një vrasës si Gafur Mazreku me titullin më të lartë që mund të japë pushteti lokal.
Nderimi i një ish-deputeti që ka përdorur armën brenda sallës së parlamentit kundër Azem Hajdarit është modeli që Edi Rama ka ndjekur që kur ka ardhur në pushtet. Është modeli që nderon dhe ju jep në pushtet kriminelëve në parlament, qeveri apo bashki.
Mbledhja e këshillit bashkiak është parashikuar për të hënën dhe ne i bëjmë thirrje Edi Ramës të tërheqë këtë vendim skandaloz sa nuk është vonë sepse me këtë vendim po vret për herë të dytë liderin e dhjetorit Azem Hajdari dhe po përdhos demokracinë në këtë vend.