Shpërthimi i një bombe në qendër të Athinës ka shkaktuar dëme të shumta por fatmirësisht nuk ka as të plagosur e as viktima. Sipas mediave greke shpërthimi ndodhi në orët e para të mëngjesit, rreth orës 03:35, pranë ndërtesës së parlamentit dhe shumë afër zyrave të federatës greke të biznesit.
Ky është shpërthimi i parë, prej kohës kur Siriza e Aleksis Cipras mori pushtetin në muajin Janar. Policia rrethoi zonën pranë Sheshit Sintagma dhe nisi hetimet, për të hedhur dritë mbi incidentin për të cilin deri tani asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë. Nga hetimet e para të policisë greke, objektiv i autorëve të këtij sulmi ishte godina e dhomës së industrialistëve grekë. Autoritetet thanë se persona të pa njohur telefonuan në redaksitë e dy gazetave, duke njoftuar për vendosjen e bombës në qendër të Athinës. Në shtetin Helen policia është në alarm të kuq, pasi ka informacione se po përgatitet një sulm terrorist. Megjithatë shpërthimi I bombës në kryeqytetin Helen nuk ka lidhje me sulmet terroriste, e dyshimet kryesore janë tek një organizatë e majtë anarkiste.