Një rajon policie në Athinë është sulmuar me bomba molotov duke u gdhirë e enjte.
Ngjarja ka ndodhur në zonën Pefki, në verilindje të kryeqytetit. Sipas komunikatës zyrtare, një grup prej rreth dhjetë personash, me fytyra të maskuara, hodhën pesë shishe me lëndë djegëse dhe pastaj u larguan me vrap në drejtim të paditur. I gjithë aksioni ka zgjatur vetëm 40 sekonda. Një nga bombat molotov goditi kabinën e rojës. Polici që ndodhej brenda shtiu në ajër disa herë për të paralajmëruar agresorët. Nga zjarri që pasoi janë shkaktuar dëme materiale, ndërsa nuk raportohet asnjë i lënduar.
Në vendngjarje shkuan dy makina zjarrfrikëse që neutralizuan zjarrin e shkaktuar në një makinë të policisë dhe në një autoveturë private. Policia po zhvillon hetime për të gjetur e arrestuar autorët e sulmit që mendohet se u përkasin grupeve anarkiste. I njëjti rajon policie ishte sulmuar sërish në janar të vitit 2008.