Pas disa detyrave si trajner dhe si drejtor te Vllaznia, Auron Miloti ka marrë një tjetër post drejtues, por këtë herë jo tek klubi i futbollit. Së fundmi, ai ka nisur punën si këshilltar për sportin i kryebashkiakut Benet Beci. Në fakt, një emërim i tillë ende nuk është bërë zyrtar, por Miloti është shfaqur në rolin e drejtuesit të ri. Kështu, ka qenë pikërisht takimi i numrit 1 të Bashkisë Shkodër me ekipin e volejbollit të femrave të Vllaznisë dhe në foton e publikuar dallohet qartë edhe Auron Miloti, përkrah tre pjesëtarëve të tjerë të zyrës së sportit pranë këtij institucioni, Amila Gjyrezi, Alban Neziri dhe Antonio Shabani.

Mirëpo, nuk përjashtohet mundësia që Miloti të marrë edhe një detyrë tjetër në Bashki. Nga sa mësohet, ai mund të emërohet si drejtor i zyrës së sportit në Bashki, teksa një gjë e tillë pritet të saktësohet në ditët në vijim. Miloti do të ketë për detyrë t’i qëndrojë sa më afër të gjitha sporteve shkodrane që mbështeten nga Bashkia. Tashmë, mbetet për t’u parë puna që Auron Miloti do të bëjë si këshilltar për sportin i kryebashkiakut Benet Beci, por ndoshta edhe si drejtor i sportit në Bashkinë e Shkodrës. Kujtojmë që, Miloti ka luajtur për skuadrën e Vllaznisë, por edhe të Tiranës, ku me këtë të fundit ka fituar tre tituj kampion rradhazi, gjë të cilën me shkodranët nuk ka mundur dot ta realizojë.

Artikulli paraprakSHKODËR-FUSHË KRUJË, RRUGA E “VDEKJES”
Artikulli tjetërTEDI KOPLIKU NË “TONIGHT”: TË RINJTË E ARDHMJA