Sydney pezullon festimet me fishekzjarre për ndërrimin e viteve
Australia po përgatitet të anulojë spektaklet e fishekzjarreve për fundvit, për të mos rrezikuar përhapjen e vatrave të zjarrit në vend.
Vendimi u mor të hënën për kryeqytetin e vendit, Canberra, ndërsa janë mbledhur mbi 250 mijë peticione edhe për pezullimin e festimeve piroteknike në qytetin më të madh të vendit, në Sydney .
Temperaturat më 31 dhjetor pritet të arrijnë vlerën 40 gradë Celsius dhe sipas autoriteteve, çdo fishekzjarr që mund të bie aksidentalisht në pyje, mund të bëhet shkak për përhapjen e flakëve.
Në shtetin juglindor të Viktorias, dhjetëra mijë banorëve iu kërkua të evakuojnë rajonin turistik të Gipslendit për arsye se zjarret rrezikojnë bllokimin e segmentit kryesor rrugor.
“Kjo është ditë me rrezik të lartë për Viktorian, që nuk e shohim shpesh.
Shteti ynë është i thatë, jashtë është nxehtë dhe era do të jetë shumë e fortë. Banorët duhet të largohen tani ose të informohen për kushtet gjatë ditës,” deklaroi të hënën shefi i menaxhimit të emergjencave.
Muajt e fundit, flakët në të gjithë territorin australian kanë vrarë të paktën 9 persona, kanë djegur 1 mijë shtëpi e gati 3 milionë hektarë tokë.