Kryeministri Edi Rama, ka qenë i pranishëm sot në Spitalin Memorial të Fierit, institucionit të parë spitalor që ka marrë kartën e Autonomisë menaxheriale. Rama tha se shërbimi në spitalet publike është tashmë në një nivel krejt tjetër dhe theksoi se në të gjithë spitalet që do të pajisen me kartën e autonomisë menaxheriale, mjekët do të kenë mundësi të punojnë edhe jashtë orarit duke ofruar shërbim ekstra për të cilin do të marrin 70% të pagesës ndërsa vetë spitali merr 30%.

“Sot jemi në një fazë tjetër, hyjmë në kapitull të ri falë faktit që spitali Memorial shërbeu për të pilotuar autonominë menaxheriale. Synojmë të hapim në këto spitale që do marrin kartën e autonomisë menaxheriale, edhe praktikën e dyfishtë. Mjekët që japin shërbim në këto spitale dhe janë të dëshiruar të japin shërbim përtej orarit të rregullt të punës, të ofrojnë shërbim ekstra me pagesë ku 70% e pagesës e merr mjeku dhe 30% i mbeten spitalit.

Në këtë mënyrë hyn më në fund në Europë në kuptimin e konceptimit të sistemit publik, si një sistem ku mjekët nuk janë rrogëtarë, nuk janë të detyruar të shohin majtas apo djathtas për të shkuar tek privati ku mund të paguhen më shumë. Por çdo mjek që kërkohet nga qytetarët për t’u shërbyer atyre, të mund të punojë edhe jashtë orarit dhe të paguhet më shumë”- tha Rama.

Artikulli paraprakSHKODËR, PROCEDOHEN 4 SHTETAS PËR VEPRA TË NDRYSHME PENALE
Artikulli tjetërTONIGHT – 26.01.2024