Autoriteti Palestinez e ka prezantuar kabinetin e ri të enjten, pasi është duke u përballur me thirrje ndërkombëtare për reforma. Presidenti Mahmoud Abbas – i cili e ka udhëhequr Autoritetin Palestinez për gati dy dekada dhe vazhdon ta ketë kontrollin e përgjithshëm mbi të – njoftoi krijimin e qeverisë së re përmes një dekreti presidencial të enjten. Asnjëri nga ministrat e ri nuk janë figura të njohura. Në fillim të këtij muaji, Abbas e zgjodhi Mohammad Mustafan, këshilltarin e vet të kahmotshëm, për t’u bërë kryeministër. Mustafa, një ekonomist i pavarur politikisht dhe i arsimuar në SHBA – ishte zotuar se do ta formonte një qeveri teknokratike dhe se do ta krijonte një fond të pavarur të besimit për ta ndihmuar Gazën të rindërtohet.
Mustafa do të shërbejë edhe si ministër i Jashtëm. Ministri i Brendshëm, Ziad Hab al-Rih, është anëtar i lëvizjes laike të Abbasit, Fatah, dhe mbajti pozitën e njëjtë edhe në qeverinë e kaluar. Ministria e Brendshme i udhëheq forcat e sigurisë. Ministri i ri për Jerusalemin, Ashra fal-Aëar, ishte regjistruar të garonte si kandidat i Fatahut në zgjedhjet e vitit 2021, të cilat u shtynë për kohë të papërcaktuar. Së paku pesë nga 23 ministrat e rinj vijnë nga Gaza, por nuk është e qartë tani për tani nëse ata ndodhen ende në këtë territor. Autoriteti Palestinez i administron pjesë të Bregut të uzurpuar Perëndimor. Forcat e tij u përzunë nga Gaza kur Hamasi – grupi i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – e mori pushtetin më 2007, dhe nuk ka pushtet në këtë territor. Autoriteti Palestinez gëzon pak mbështetje apo ligjshmëri në mesin e palestinezëve, kryesisht për shkak se nuk ka mbajtur zgjedhjet në 18 vjetët e fundit.
Politika e tij për të bashkëpunuar me Izraelin për çështjet e sigurisë është tejet jopopullore dhe i ka bërë shumë palestinezë ta cilësojnë atë si nënkontraktor të pushtimit. Sondazhet në vitet e fundit kanë treguar vazhdimisht se shumica dërrmuese e palestinezëve duan që 88-vjeçari Abbas të japë dorëheqje. Shtetet e Bashkuara kanë bërë thirrje për një Autoritet Palestinez më të fuqishëm për ta administruar Gazën e pasluftës, para shtetësisë së mundshme palestineze. Izraeli e ka kundërshtuar këtë, duke thënë se do të mbajë kontroll të papërcaktuar të sigurisë në Gazë dhe se do të bashkëpunojë me palestinezët të cilët nuk janë të lidhur me Autoritetin Palestinez apo Hamasin. Është e paqartë se kush në Gazë do të shprehte gatishmëri për të marrë një rol të tillë. Hamasi e ka kundërshtuar formimin e qeverisë së re duke e quajtur të jashtëligjshme, si dhe u ka bërë thirrje të gjitha grupeve palestineze, përfshirë atij Fatah, ta formojnë një qeveri me pushtet të ndarë para zgjedhjeve nacionale Ai i ka paralajmëruar palestinezët në Gazë të mos bashkëpunojnë me Izraelin për ta administruar territorin, duke thënë se kushdo që e bënë këtë do të trajtohet si bashkëpunëtor i armikut, gjë që kuptohet si kërcënim me vdekje.