Avionë luftarakë turq raportohet të kenë goditur dhe rrëzuar një mjet ajror ushtarak rus në kufi me Sirinë. Një zyrtar ushtarak turk deklaroi për agjencinë e lajmeve “Reuters” se, avionët turq “F-16” qëlluan një xhet pas paralajmërimeve se po shkelte hapësirën ajrore turke.

Mediat turke kanë transmetuar tashmë pamjet e avionit të rrëzuar në malet në afërsi të kufirit sirian, pranë provincës Latakia.  Së fundmi, avionë ushtarakë rusë dhe sirianë kanë goditur bazat e xhihadistëve dhe zonat e rebelëve të mbështetur nga Perëndimi. Turqia, një kritike e fortë e presidentit sirian Bashar al Assad, ka bërë më herët paralajmërime kundër shkeljes së hapësirës së saj ajrore nga avionët rusë e sirianë.  Muajin e kaluar, Ankaraja zyrtare deklaroi se avionët turq “F-16” kishin lokalizuar një avion rus që kishte kaluar në kufirin e tij dhe se avionët e saj ishin kërcënuar nga një avion i paidentifikuar “Mig-29”. 

Artikulli paraprakATHINË SHPËRTHEN BOMBA, FATMIRËSISHT PA VIKTIMA
Artikulli tjetërLUFTA NDAJ ISIS, OBAMA SOT TAKIM ME PRESIDENTIN HOLLANDE