Një avion i linjës “Blue Panorama” ka pësuar defekt teknik mëngjesin e të dielës pak minuta pas ngritjes nga Rinasi.
pasagjerë që ndodheshin në bordin e avionit njoftuan se pas nisjes për në Ancona, në kohën kur avioni ndodhej mbi durrës, ka pasur depërtim të tymit në kabinë të shoqëruar me erë.
Në bordin e avionit që ka pasur defekt në motor mësohet se kanë qenë 48 pasagjerë mes të cilëve edhe gra shtatzëna dhe fëmijë.
Depërtimi i tymit dhe era e keqe në kabinë kanë shkaktuar panik tek personat që ndodheshin në bordin e avionit të cilët janë alarmuar edhe nga kthimi i menjëhershëm i avionit për ulje emergjente në rinas. sipas të dhënave të trafikut ajror, avioni ka bërë ulje të detyruar në pistë në ora 07.57 të mëngjesit.
sipas grafikut të nisjeve të publikuar nga vetë aeroporti i Rinasit, avioni i linjës “Blue Panorama” që duhej të nisej për në Ancona në ora 07.15 të së dielës, është nisur me dy orë e gjysmë vonesë, duke u ngritur nga Rinasi në ora 10.00.
Pas uljes emergjente të avionit pasagjerët janë detyruar të presin për mbi dy orë në aeroport ndërsa kanë njoftuar se ekuipazhi nuk i kishte lejuar të fotografonin apo të filmonin momentet kur avioni ka futur tym në kabinë.
pasagjerët kanë kërkuar sqarime pranë zyrave të kompanisë në aeroport, dhe sipas tyre, shpjegimi që u është dhënë për uljen emergjente dhe vonesën e fluturimit, ka qenë një defekt teknik.
Pas pritjes për dy orë e gjysmë në Rinas, avioni është nisur në drejtim të Italisë. Vonesat e avionëve nga aeroporti i Rinasit janë kthyer në një problem të përsëritur vitet e fundit për disa prej kompanive që operojnë në vendin tonë.