Dhoma e avokatisë në Shkodër i është përgjigjur bojkotit për seancat gjyqësore për 3 ditë me radhë, sipas vendimit që mori një ditë më parë dhoma e avokatisë shqiptare. Ky vendim për bojkotin tre ditor të gjyqeve erdhi pas dhunës së ushtruar ndaj avokatit të njohur Sokol Mëngjesi, pak ditë më parë në Tiranë. Ndërkohë janë rreth 130 seanca gjyqësore që nuk do të zhvillohen me avokatët mbrojtës në këto 3 ditë. Kryetari i dhomës së avokatisë në Shkodër Anton Kosteri tha se përjashtim bëjnë vetëm seancat për masat e sigurisë.
Kosteri thotë se në Shkodër nuk ka deri më tani raste të kërcënimeve të avokatëve por nuk përjashton shumë raste të tjera të debateve verbale. Në çdo moment palët duhet që të këshillohen me avokatin thotë Kosteri dhe jo të ndërmarrin veprime të dhunshme.
Pavarësisht bojkotit të afro 130 seancave gjyqësorë në gjykatën e shkallës së parë në Shkodër që do të jenë gjatë këtyre ditëve, në disa raste të pandehurit në këtë ditë të parë janë mbrojtur vetë duke vijuar seancën edhe pa praninë e avokatëve.