Avokati i Popullit heton Hipotekën, pezulloi lejet vjetore të punonjësve

Avokati i Popullit nis me iniciativë shqyrtimin e pezullimit të lejeve të zakonshme për punonjësit e Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Në një njoftim për mediat, zyra e Avokatit të Popullit sqaron se shqyrtimi në mënyrë të pavarur i këtij rasti nisi pasi “një urdhër i titullarëve të këtij institucioni i ka njoftuar në mënyrë të papritur punonjësit e Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, se të gjitha lejet e zakonshme vjetore të miratuara, do të ndërpriten në mënyrë të menjëhershme”. Avokati i Popullit nënvizon se “lejet e zakonshme vjetore të punonjësve janë një e drejtë që garantohet me ligj në Republikën e Shqipërisë ndaj zyra e Avokatit të Popullit ka nisur punën për të verifikuar nëse ky rast paraqet elementë të shkeljes së Kodit të Punës dhe të drejtave të punonjësve”. Sipas këtij institucioni, ndërprerja e njëanshme e lejeve vjetore që punonjësit kalojnë me familjen është vetëm një nga aspektet e zakonshme të abuzimeve me të drejtat e tyre nga titullarë dhe institucione të ndryshme në vendin tonë. “Gjithashtu edhe presionet, intimidimet, shkarkimet e pajustifikuara si dhe dorëheqjet e detyruara rezultojnë nga ankesat e qytetarëve të jenë një realitet i pranishëm në administrate” thuhet më tej në njoftim. Avokati i Popullit thotë se një numër i madh ankesash e shqetësimesh të kësaj natyre parashtrohen çdo ditë në këtë institucion si dhe gjejnë pasqyrim të vazhdueshëm në media. Zyra e Avokatit të Popullit deklaron se pas përfundimit të shqyrtimit të çështjes do të dalë me konkluzionet përkatëse në lidhje me rastin.

Artikulli paraprakPEMA 200 VJEÇARE RRËZOHET MBI TURMËN E NJERËZVE, 11 TË VDEKUR
Artikulli tjetërFSHEHU 156 KG KANABIS NË PYLL, PRANGA SHQIPTARIT