Qeveria franceze ka paraqitur këtë të mërkurë një projektligj me rregulla të ashpra për emigracionin, i cili është konsideruar nga organizatat e të drejtave të njeriut si represiv ndaj azilkërkuesve. Në parashtrimin e ligjit, qeveria franceze ka sqaruar se drafti synon përshpejtimin e dëbimit të njerëzbve të cilët nuk marrin statusin e azilantit.

Gjithashtu, ligji parashikon kushte më të mira për ata që lejohen të qëndrojnë të Francë, të tilla si mësimi i gjuhës dhe trajnime për punë. Ministri i Brendshëm francez Gerard Collomb tha se plani është i balancuar dhe përputhet me procedurat europiane.Plani do të reduktojë periudhën e shqyrtimit të një kërkese për azil deri në një maksimum prej gjashtë muajsh, nga rreth një vit duke përfshirë apelin që zgjat aktualisht. Pr/ligji gjithashtu parashikon që autoritetet të mbajnë emigrantët ilegalë në kampet e mbyllura të emigrantëve deri në 90 ditë nga 45 që janë aktualisht.

Gjithashtu, projektligji për emigrantët parashikon gjobë deri në 3750 euro për shtetasit të cilët kalojnë ilegalisht kufijtë e zonës së lirë të udhëtimit në BE. Disa organizata që ndihmojnë migrantët, duke përfshirë edhe Lidhjen Franceze për të Drejtat e Njeriut, kanë bërë thirrje për protesta në rrugët e Paris për të denoncuar “politikat qeveritare që cenojnë liritë e emigrantëve”.

Shifrat zyrtare tregojnë se më shumë se 100,000 njerëz kanë aplikuar për azil në Francë gjtë vitit 2017, një rritje prej 17 për qind nga një vit më parë. Numri më i madh i kërkesave për azil vijnë nga njerëz nga Shqipëria, Afganistani, Haiti dhe Sudani. Rreth 36% e aplikantëve u është dhënë statusi i refugjatit. Projektligji do të debatohet në parlament gjatë muajit prill.

Artikulli paraprakBANDA QË PO TERRORIZON LONDRËN
Artikulli tjetërPRESIDENT I PËRBASHKËT ME KOSOVËN, AMBASADA E SHBA: TË ZHGËNJYER ME RAMËN!