Më shumë se 22 mijë shqiptarë kanë kërkuar azil në Gjermani në 6 muajt e parë të 2015. Shifrat e gjysmës së parë të vitit janë bërë publike nga ministria e Brendshme Gjermane ku Shqipëria renditet e treta për numrin e azilkërkueseve. Sipas autoriteteve gjermane në të njëjtën periudhë të 2014-ës në Gjermani aplikuan për azil 3913 shqiptarë, por këtë vit shifra u shtatëfishua.

Edhe për muajin qershor, shqiptarët janë renditur të dytët në listën e azilkërkuesve në Gjermani, me 5932 kërkesa, mbi 1000 më tepër se një muaj më parë, për të vazhduar kështu trendin e i kjeve masive nga vendi, duke mbetur vetëm pas sirianëve që i largohen konfliktit disavjeçar në shtetin e tyre. Në përmbledhjen e gjysmës së parë të 2015-ës, edhe pse renditemi pas sirianëve dhe shqiptarëve të Kosovës, lëmë mjaft mbrapa irakianët dhe afganët e shpërngulur nga lufta. Ajo që bie në sy në shifrat e publikuara është trendi rritës nga muaji në muaj për sa i përket shqiptarëve të larguar në drejtim të vendit më të fuqishëm të Bashkimit Europian, ndërsa konfirmohet trendi zbritës për ata të Kosovës, të cilët “boom”-in e largimeve e kishin në muajt e fundit të vitit të kaluar dhe muajt e parë të 2015-ës. Përballë një situate të tillë, ku në listën e dhjetë shteteve me më tepër azilkërkues janë përfshirë ehe Maqedonia dhe Bosnje-Hercegovina, Gjermania po mendon t’i shpallë të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor vende të sigurta të origjinës, pasi mundësitë që ata të njihen si azilkërkues janë shumë të vogla. Sipas mediave gjermane, ministri i brendshëm, Tomas de Maizier, deklaroi se fluksi i azilkërkuesve i vë të gjithë përballë një sfide të mëdha, ndërsa theksoi se duhet bërë dallimi mes njerëzve vërtet në nevojë dhe atyre që largohen për arsye të tjera.

Artikulli paraprakSHKODËR, VIJONË OPERACIONET NË LUFTËN ANTI KANABIS
Artikulli tjetërPAS EUROZONËS, TSPIRAS KA EDHE NJË “LUFTË” TË BRENDSHME