Azilkërkuesit në Britani, hetim i përbashkët për grupet kriminale
Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj është takuar me sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së jashtme Britanike dhe kreun e shërbimit diplomatik të Mbretërisë së Bashkuar, Simon McDonald. Në këtë takim Mc Donald i ka doërzuar një letër të autoriteteve britanike ku uron Xhafën për detyrën duke shprehur sigurinë për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh me qeverinë e re. Në letër përcillen propozime konkrete të qeverisë britanike për të ndërtuar një bashkëpunim efikas në fushën e luftës krimit si dhe për mbështetjen konkrete që do t’i ofrohet Ministrisë së Brendshme në fushën e ndërtimit të kapaciteteve për Policinë e Shtetit, veçanërisht asaj kufitare, ofrimin e ekspertizës akademike për Akademinë e Sigurisë, si dhe mbështetje nga Kolegji i Policisë së Mbretërisë së Bashkuar. Pala britanike, theksoi se gjatë muajve të verës “ka hartuar një paketë gjithëpërfshirëse mbështetje, e cila do të përmbush këto kërkesa. Ne besojmë se ajo përcakton balancën midis masave afat-shkurtra, masave për rritje kapacitetesh dhe strategjive afatgjata parandaluese. Paketa pasqyron angazhimin tonë ndaj Shqipërisë dhe marrëdhënies tona dypalëshe: Mbretëria e Bashkuar qëndron përkrah Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar” Në takim u trajtuan gjithashtu edhe një sërë çështjesh, që kanë të bëjnë me trafikimin e lëndëve narkotike dhe qenieve njerëzore (veçanërisht minorenëve), çështja e azilkërkueseve shqiptarë në territorin e Mbretërisë së Bashkuar, përmirësimi i regjimit kufitar shqiptar për parandalimin e azilkërkimit, ndërtimi i kapaciteteve të Policisë shqiptare, shkëmbimi i informacionit, hetimet e përbashkëta, ekspertiza akademike që pala britanike mund të ofrojë për Akademinë e Sigurisë etj. McDonald njoftoi ministrin shqiptar se vitin që vjen Britania e Madhe do të jetë vend pritës i Samitit të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Nga të dy palët u shpreh gadishmëria për të prezantuar në këtë takim hapa dhe rezultate konkrete në bashkëpunimin midis tyre.