32-vjeçarja shqiptare Marjola Rapaj ka folur për herë të parë për mediat dy javë pasi ish-partneri polak vrau djalin e vogël 10-vjeç si shenjë hakmarrje kundër saj që e kishte denoncuar për dhunë në familje. E tronditur, shqiptarja ndodhet në shtëpinë e motrës së saj. Ajo shprehet se dhimbja që po përjeton është shkatërruese.
“Unë, në këtë moment dhimbjeje të madhe, nuk jam në gjendje të shpjegoj se çfarë ndjej. Dhimbja është shkatërruese. Unë kurrë nuk do të kthehem në atë shtëpi, nuk dua të shkoj më në të.
Nuk mund të mendoj se çfarë mund të kishte ndodhur atë ditë të tmerrshme atje”. “Faleminderit shumë për dashurinë dhe solidaritetin që më keni treguar” tha më tej Marjola Rapaj për mesazhet e shumta jo vetëm të qytetarëve, por edhe autoriteteve lokale italiane.
Por çfarë ndodhi?
Që nga shtatori 44-vjeçari MirkoTomkow nuk lejohej ta takonte gruan dhe djalin e tij për shkak të urdhrit të gjykatës pas denoncimit të shqiptares për kërcënime dhe dhunë.
Më 16 nëntor, Matias i vogël dyshohet se u mor nga shkolla në orën 13:30 nga një i afërm dhe u dërgua në shtëpi në një ndërtesë dykatëshe.
Aty u vra me një thikë në fyt nga i ati i tij që ishte arratisur nga një spital COVID.