Ka qenë 25 shtator 1975, kur Fadil Paçramit, ish-zyrtarit të lartë partiak e shtetëror, i kanë hedhur prangat në banesën e tij në Fushë Arrëz.
“Në emër të popullit, je i arrestuar!”, kanë qenë fjalët e para që kanë shqiptuar shtatë policët që kanë mësyrë herët atë mëngjes për ta shoqëruar të prangosur në qelitë e burgut të Tiranës. Kur flet për këto çaste, Agim Paçrami, djali i vetëm i tij, përlotet dhe hera-herës harron fillin e bisedës.
Ka qenë diçka vërtet e tmerrshme, kujton ai, babai kishte ditë që qëndronte i sëmurë në shtrat me kriza veshkash e tension të lartë dhe ata e rrëmbyen dhunshëm si të ishte një bandit që kishte vrarë dynjanë”. Sakaq, në rrëfimin për gazetën “Panorama”, i biri tregon mjaft episode nga kalvari i vuajtjeve pas dënimit të të atit. I përjashtuar nga shkolla teknike si djalë i armikut, Agim Paçrami tregon zhgënjimin që ka provuar teksa ka zbritur nga Fushë Arrëzi në Tiranë për të takuar Enver Hoxhën, por e kanë adresuar te një zyrtar i tij që i ka përplasur derën në fytyrë.
Çfarë kujtoni nga koha kur shkuat në Fushë Arrëz? Asokohe, ju, një djalë i ri, i rritur mirë për kohën, që kishit lënë Tiranën dhe jetonit në qytezën e vogël në veri…
E tmerrshme, ç’të them. Nuk e kam fjalën këtu vetëm për kushtet e mira që humbëm me largimin nga Tirana. Madje, as për vështirësitë e përditshme që duhej të përballonim në qytezën e ftohtë dhe me mundësi teje të kufizuara për jetesë. Këto po e po. Më e rëndë ishte sjellja e njerëzve, tanimë që e kishin marrë vesh se familjen e Fadil Paçramit nuk e kishin sjellë aty për konvaleshencë. Na shikonin si delen e zezë. Fadili e Violeta mundoheshin ta kapërcenin me atë mënyrën e tyre. Po unë e kisha tmerrësisht të pamundur. Hera-herës shpërtheja në një lloj revolte që nuk dija kujt ia adresoja. Revoltë që ia shprehja kujtdo që më dilte përpara..
Në atë kohë ju ishit në shkollë, si ndiheshit kur mbarë qyteti e shikonte familjen tuaj si delen e zezë?
Kisha nisur mësimet në shkollën e mesme teknike, siç i thoshin atëherë. Me shokët e bashkëmoshatarët shkoja mirë. Mësuesit, me sa dukej pas instruktimeve që u bënin në zyrat e Partisë, shfaqeshin të rezervuar në sjelljen ndaj meje. Kishte ndër ta që te mua shikonin atë këlyshin e armikut të klasës dhe silleshin ftohtë e hera-herës shpërfillës. Megjithatë u mësova me këtë gjendje dhe e shtyja, pa më shkuar mendja se një ditë krejt pa shkak do më përjashtonin dhe nga shkolla…
Më çfarë e arsyetuan motivin e përjashtimit nga shkolla?
Me arsyen pa arsye më flakën si të isha kriminel. Kush të shpjegonte më gjatë atëherë. Të përplasnin në fytyrë vendimin dhe kaq…
Kur ka ndodhur kjo?
Në shtator të vitit 1975 ishim lajmëruar për të shkuar në shkollë që të merrnim rrobat e zborit ushtarak. U çova herët dhe shkova që të isha i pari për t’i zgjedhur pak të mira. Mirëpo, nuk kishte qenë e thënë. Prita deri sa mbaroi dhe i fundit. Ndërkohë, kur po pyesja pse nuk po m’i jepnin rrobat, m’u afrua nëndrejtori i shkollës, nëndrejtori ushtarak, siç e quanin asokohe. “Për ty,- më tha,- nuk ka uniformë. Këshilli pedagogjik ka vendosur që ju të përjashtoheni nga shkolla”.
Aty për aty, i prerë siç isha, iu drejtova të mësoja shkakun e kësaj mase absurde. “Kjo,- shpjegoi nëndrejtori,- është shkollë profesionale që nxjerr kuadro. Djali i armikut nuk mund të bëhet kuadër. Prandaj, djalë i mbarë, shiko rrugën. Kaq kisha”. Ç’mund t’i kërkoja tjetër atij zyrtari! Si ndenja disa çaste pa folur përballë tij, u largova me gjunjët që më dridheshin sa nga lajmi i beftë, aq dhe nga marazi që do t’u çoja prindërve në shtëpi…
Dhe si e pritën prindërit lajmin për përjashtimin tuaj nga shkolla?
Kur shkova aty, gjeta vetëm babain, Violeta nuk më kujtohet ku ishte. U mërzit jashtë mase, por nuk donte ta jepte veten para meje. Si ndenji disa minuta i heshtur, u kthye nga unë për të më thënë atë që mendonte. “Diçka mund të bëjmë,- më tha. Unë mendoj që të nisesh në Tiranë për një takim me Enverin”. “Unë të takoj Enverin?!”, i thashë gjithë habi për atë që më rekomandonte. “Nuk besoj se Enveri do të të presë”, shtoi aty për aty, por të paktën mund të takohesh me sekretarin e tij. Nuk më kujtohet si e vazhdova më tej bisedën me Fadilin, por përfundimisht vendosa të merrja rrugën e Tiranës, megjithëse pa asnjë shpresë…
More rrugën nga Fushë Arrëzi për të takuar Enverin në Tiranë…
U nisa për në Tiranë, të takoja Enverin. Po pa shpresë. E bëra më shumë për mos t’ia prishur Fadilit. Mbërrita te selia e Komitetit Qendror dhe zyrtarit të shërbimit që gjeta, i tregova çfarë kërkoja. Ai më pa gjithë habi sikur të isha UFO dhe më përcolli te një instruktor që punonte aty me ankesat dhe letrat e popullit.
“Urdhëro?!,- më tha gjithë shpoti ky i fundit. “Më kanë përjashtuar nga shkolla pa asnjë shkak”, i thashë. “E këtu çfarë kërkon?”, m’u kthye prapë ai. “Të rikthehem në shkollë”, iu përgjigja. “Në shkollë nuk të rikthen Komiteti Qendror”, ma preu ai. “Po Komiteti Qendror mund të ndërhyjë për të korrigjuar këtë padrejtësi”, ia ktheva unë. “Mirë e ke mor djalë, por ka ca rregulla shteti që….” “Unë nuk jam për të shkelur rregullat”,- i thashë me një lloj kuraje që as vetë nuk e dija nga më vinte.
“Atëherë, dëgjoje rregullin”, u shpjegua zyrtari i Komitetit Qendror, këtë radhë me një ton autoritar. “Urdhëro”, i thashë. “Rikthimi juaj në shkollë,- shqiptoi ai,- është kompetencë e Drejtorisë Arsimore të Pukës. Aty dhe vetëm aty mund të bëhet korrigjimi i vendimit të këshillit pedagogjik, gjithnjë nëse gjykohet se ai ka qenë i padrejtë. Kështu që paraqitu aty!”, ia bëri zyrtari i selisë së Enverit dhe më tregoi derën…
Shkuat në Drejtorinë Arsimore të Pukës?
Aty ishte e kotë të shkoja, pasi siç mësova më vonë ideja për të më përjashtuar nga shkolla kishte ardhur pikërisht nga Drejtoria Arsimore.
E latë me kaq, me një fjalë…
Jo, nuk e lamë me kaq. Fadili, ndërkohë, sugjeroi diçka tjetër. Mendoi t’i dërgonte një letër Mehmet Shehut, Kryeministrit të kohës. E përpiloi vetë dhe më tha kopjoje tani. Unë duke e kopjuar se ç’bëra një gabim andej nga fundi dhe e fshiva. “As me shkruajt nuk di”, më tha. Kur doli Fadili, te letra që do t’i dërgonim Kryeministrit, shkrova Mehmet Mu…
Ndërkohë, bëra një letër tjetër dhe e futa në zarf. Letrën e parë atë me adresën Mehmet Mu… e hodha sipër dollapit që kishim në dhomë. Kur arrestuan Fadilin dhe bastisën shtëpinë, për dreq e gjetën dhe atë. U trondita kur e pashë në dorën e tyre. E bashkuan me dokumentet e tjera që kishim në shtëpi dhe e morën me vete..
Ndërkohë, Violeta punonte në bibliotekën e Pallatit të Kulturës së qytetit…
Përpara se të më përjashtonin mua nga shkolla, hoqën Violetën nga biblioteka ku punonte. E çuan të bënte arka. Ishte një punë tejet e vështirë. Nuk i bënte dot për qamet dhe vrau gishtat. Pastaj e çuan në një punë tjetër, as atë s’e bënte dot. Atëherë, Fadili vendosi që ajo të qëndronte në shtëpi. “Do jetojmë,- i tha,- me atë 4 mijë e 800 që marr unë”. Mirëpo kjo nuk zgjati shumë, sepse Fadili hyri në burg./Panorama
VIJON NESER…