Loja e rrezikshme e quajtur “Balena Blu” ka mbërritur edhe në Gjirokastër. Lajmin e konfirmon Drejtoria Arsimore Rajonale, përmes një deklarate, ku i bën apel prindërve dhe mësusve të kenë kujdes për fëmijët. Por në këtë reagim nuk jepen detaje rreth fëmijës që ka rënë pre e kësaj loje të rrezikshme.
Më poshtë deklarata e plotë e DAR Gjirokastër.
Të dashur prindër! Një lojë e rrezikshme po qarkullon në Internet, quhet “Balena Blu”Kjo lojë ka për qëllim të fusë fëmijët në kurthin që i shpie deri në vetëvrasje. Për shkak të kësaj loje janë vetëvrarë qindra fëmijë në Rusi (nga ku mendohet se ka lindur kjo lojë) por edhe në Itali, Mal i Zi, Maqedoni etj. Ekspertët kanë paralajmëruar se edhe Shqipëria mund të jetë “tabelë qitjeje e kuratorëve të Balenës Blu”. Në Gjirokastër tashmë kemi një rast të identifikuar të një fëmije që luante ketë lojë. Janë marrë të gjitha masat për mbrojtjen e fëmijës. Kuratori është njeriu që kontakton fëmijët përmes rrjeteve sociale si: facebook, instagram apo cfarëdo rrjeti social dhe i kërkon të luajnë një lojë bashkë. Por njëkohësisht mund të ndodhë që vetë fëmija, për shkak të kuriozitetit ta shkarkojë si aplikacion Balenën Blu (nga Play Store) në telefonin e tij dhe të filloj të luajë. Në momentin e parë “kuratori” i kërkon fëmijës të dhënat e sakta: emër, mbiemër, vendbanim, fotografi. Më pas nisin rregullat e njëpasnjëshme të lojës.
Çdo ditë, për 50-të ditë me rradhë, një rregull i ri të cilin fëmija duhet ta zbatojë me përpikmëri, duke ia vërtetuar “kuratorit” me foto, deri në rregullin final që është të vrasë veten duke u hedhur nga tarraca e një pallati të lartë. Rregullat jane të tilla si : fëmija të iki nga orët e mësimit, të shkojë vonë në shtëpi, të shkruajë një letër kërcënuese dhe ta fusë poshtë derës së një shtëpie, të mos komunikojë me njeri për ditë me rradhë, të presë (dëmtojë) veten me thikë (zakonisht në parakrah), të zgjohet në oren 4:20 të mëngjesit dhe të shikojë videot me persona që vrasin veten në mënyra të tmerrshme (videot i dërgon kuratori), të dëgjojë muzikë psikedilike (depresive) të cilën gjithashtu ia dërgon kuratori, të mos ushqehet rregullisht, të mos konsumojë ujë lëngje etj. Pra si fillim kuratori përpiqet që të nxisë te fëmijët sjellje devijante (të lërë orët e mësimit, të shkojë vonë në shtëpi, të mos shkojë fare në mësim) në mënyrë që të krijohen konflikte mes fëmijës dhe prindërve.
Fëmija do të fillojë të ndihet vetëm, i pakuptuar dhe mundësia do të jetë shume e vogël që t’ju tregojë prindërve atë që po i ndodh. Më pas mungesa e gjumit , e ushqimit, e komunikmimit me te tjerët, shikimi i videove të tmerrshme e të frikshme do të fusin fëmijën në një gjendje depresioni dhe ai do ti bindet urdhrit final të kuratorit për të vrarë veten pasi nuk do të shohë rrugëzgjidhje tjetër. Gjithashtu kuratori e kërcënon fëmijën se do ta vrasë atë dhe familjen e tij nese tërhiqet nga loja apo i tregon dikujt, kështu fëmija futet në një kurth nga I cili s’di dhe s’mundet të dal I vetëm. Të dashur prindër ju lutem kontrolloni sa mundeni kohën që fëmijët kalojnë në Internet dhe gjithashtu tregohuni të vëmendshem ndaj ndryshimeve të humorit të fëmijës , sjelljes, rutinës së tij dhe mos nguroni të kërkoni ndihmë. Shërbimi Psiko Social dhe DAR Gjirokastër do të ndjekin me prioritet çdo informacion që do të kenë për raste të ngjajshme. Lutem personelit mësimor të shpërndajë sa më shumë të jetë e mundur këtë status për të ndërgjegjësuar sa më shumë prindër. Uroj që ky të jetë rasti i parë dhe i vetëm.