Ministri i Brendshëm Taulant Balla dhe Ministri i Emigracionit në Mbretërinë e Bashkuar, Robert Jenrick morën pjesë në ceremoninë e hapjes së Laboratorit të Referencës së ADN-së në Institutin e Policisë Shkencore, i cili do të ndihmojë në luftën kundër krimit të organizuar në Shqipëri, por edhe në Mbretërinë e Bashkuar.

Profilet gjenetike të të arrestuarve apo ndaluarve të përfituara nga ky laborator do t’i shtohen bazës kombëtare të të dhënave të ADN-së, e cila është zhvilluar me asistencën e Mbretërisë së Bashkuar duke u siguruar Policisë Shqiptare dhe sistemit të Drejtësisë një mjet të fuqishëm hetimi.

Të dy qeveritë dhe agjencitë e tyre ligjzbatuese kanë një histori të gjatë dhe të suksesshme bashkëpunimi në këtë fushë, si dhe në hetimin e dosjeve kriminale.

Vizita e ministrit Jenrick i paraprin takimin e Ministrave të Brendshëm në kuadër të Procesit të Berlinit, që mbahet në Tiranë, për të diskutuar mbi emigracionin e paligjshëm, krimin e organizuar dhe sigurinë kibernetike.

“Është kënaqësi të pres ministrin Jenrick, përpara takimit të parë historik të vendeve pjesë e Procesit të Berlinit që zhvillohet në rajon. Ky laborator biometrik është një hap tjetër në bashkëpunimin tonë të ngushtë për të rritur kapacitetet dhe aftësinë tonë në këtë fushë”, tha ministri Balla.

“Kjo strukturë e re e IPSH është një tjetër hap për objektivin e përbashkët të qeverive në luftën kundër krimit të organizuar, duke përmirësuar testimin dhe analizën e mostrave të ADN-së. Ky është shembulli i fundit i punës së ngushtë të përbashkët midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë, që përfshin nënshkrimin e një komunikate të përbashkët mes kryeministrave tanë në dhjetor, e cila solli një ulje me mbi 90% të numrit të personave që udhëtojnë në mënyrë të paligjshme nga Shqipëria drejt Mbretërisë së Bashkuar”, u shpreh ministri britanik.

Artikulli paraprakSOT TAKIMI KURTI-VUÇIÇ NË BRUKSEL
Artikulli tjetërSTUHIA ‘DANIEL’ NË LIBI, SHKATËRROHET QYTETI DERNA, NUMRI I VIKTIMAVE MUND TË ARRIJË NË 20 MIJË