Ministri i Brendshëm Taulant Balla, në fjalën e tij në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, ku foli për projektligjin për Policinë e Shtetit, tha se Policia sot është një organizatë, e cila ka bërë përmirësim drastik në mënyrën sesi e bën punën e saj.
Balla theksoi se statistikat flasin se më 2023 ka tre herë më pak vrasje se në vitin 2012, që nënkupton se Shqipëria është më e sigurtë. Po ashtu, Balla tha se dikur vetëm 31 përqind e qytetarëve kishin besim tek policia, ndërsa sot 71 përqind e qytetarëve kanë besim tek uniformat blu.
Taulant Balla: Kemi rritur sigurinë publike, duke pasur prioritet luftën pa kompromis kundër krimit. Policia është institucion, qëllimi i së cilës është shërbim cilësor për qytetarët. Statistikat janë fakte të pakundërshtueshme. Ata tregojnë se lufta ndaj krimit ka pasur përmirësim drastik. Sot kemi 3 herë më pak vrasje se më 2012. Në Shqipëri janë përgjysmuar humbjet e jetës për shkak të aksidenteve rrugore. Ky trend zbritës vazhdon që të thellohet dhe pritshmëritë tona janë të larta. Dikur 31 përqind e qytetarëve e besonin policinë, ndërsa sot 71 përqind e qytetarëve e besojnë Policinë e Shtetit, falë punës së shkëlqyer dhe rezultateve që flasin vetë.
Shqipëria jonë e dashur po hyn në fazë të re zhvillimi. Sot, në Shqipëri ka 10 milionë turistë ose më tepër dhe duhet të përgatisim Policinë e Shtetit, që të jetë e aftë të përballet me sfidat, që kanë të bëjnë me luftën ndaj krimit të organizuar, kundër krimit kibernetik, me përballjen me dhunën seksuale, dhunën gjinore etj. Projekt ligji për Policinë e Shtetit na shërben për të luftuar më mirë krimin, në çfarë do lloj forme që shfaqet.