Ministri i Brendshëm Taulant Balla, ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e SHBA në rrugën e transformimit radikal të Shqipërisë, veçanërisht në reformimin historik të sistemit të drejtësisë. Këtë Balla e bëri me dije sot gjatë vizitës zyrtare që po zhvillon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku u prit në Departamentin Amerikan të Shtetit nga Michele J. Sison, Ndihmës Sekretare e Shtetit për Çështjet e Organizatave Ndërkombëtare.

“Kjo mbështetje është dhënë përmes trajnimeve për të rritur kapacitetet e institucioneve dhe ekspertizën më të mirë në përmirësimin e hetimit dhe ndjekjes penale të krimeve, si dhe paralelisht përmes mbështetjes për ofrimin e shërbimeve të drejtpërdrejta për viktimat dhe viktimat e mundshme të trafikimit”, deklaroi ministri shqiptar.

Ministri i Brendshëm shprehu mirënjohjen edhe për mbështetjen bujare dhe vendimtare të Shteteve të Bashkuara për vendin tonë, sidomos në fushën e bashkëpunimit dhe asistencën e agjencive ligjzbatuese shqiptare, ofruar nga agjencitë ligjzbatuese të Shteteve të Bashkuara, si ICITAP, Opdat, DEA.

“Ne jemi gjithashtu krenarë për angazhimin dhe kontributin në rritje të Shqipërisë në këtë partneritet strategjik dhe presim të thellojmë miqësinë dhe bashkëpunimin ndërmjet nesh në fushën e sigurisë”, nënvizoi Balla.

Zyrtarja e lartë amerikane e përgëzoi Ministrin Balla për qasjen proaktive të Shqipërisë në adresimin e trafikimit të qënieve njerëzore, i cili reflektohet edhe në raportin e sapopublikuar. Ajo tha se Shqipëria dhe SHBA janë model i bashkëpunimit të sukseshëm dhe efikas.

Artikulli paraprakHAPJA E NEGOCIATAVE, AMBASADORJA E BE NË KIEV: UKRAINA MUND TË ANËTARËSOHET DERI NË VITIN 2030
Artikulli tjetërKËTO JANË DITË TË VEÇANTA PËR TË GJITHË ATA QË DUAN TË REALIZOJNË NJË PROJEKT… HORSKOPI PËR SOT