Qeveria e Kosovës ritheksoi të enjten qëndrimin e saj kundër nismës së përbashkët të Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, që u bë e njohur deri sot si Mini-Shengeni ballkanik. As ndryshimi i emrit në Ballkani i Hapur, nuk e ndryshoi qëndrimin e qeverisë, zëdhënësja e së cilës, Rozafa Kelmendi tha se kjo nismë është pa vizion për rajonin.

“Republika e Kosovës e ka propozuar avancimin e bashkëpunimeve rajonale nga CEFTA në SEFTA nga e cila do të përfitonin të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor. Qeveria e Republikës së Kosovës u bën ftesë qeverive të rajonit që të mbetën të përkushtuara në agjendën e Bashkimit Evropian dhe në marrëdhënie trans-atlantike“, tha zëdhënësja Kelmendi.

Kosova është zotuar me marrëveshjen e katër shtatorit të vitit 2020 të arritur në Shtëpinë e Bardhë për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike me Serbinë se do të bëhet pjesë e projektit për lëvizjen e lirë në rajon.

Analistët me të cilët bisedoi të enjten Zëri i Amerikës, kanë qëndrime të ndryshme. Arbër Fetahu nga Grupi për studime juridike dhe politike e cilëson të duhur qëndrimin e qeverisë së Kosovës për të mos u bërë pjesë e kësaj nisme.

“Mini -Shengeni e favorizon Serbinë si tregu më i madh i rajonit dhe i jep asaj përparësi dhe rolin e shteti kyç në Ballkan, në këtë mënyrë i hap shtigje të jetë një lloj lidereje e Ballkanit dhe për të mbivendosur veten mbi të tjerët, prandaj Kosova nuk ka arsye t’ia hap këtë rrugë Serbisë marr parasysh që ajo së pari nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe së dyti me anë të mjeteve të saj ekonomike dhe mundësisë së lëvizjes së mallrave kërkon që ta fuqizojë pozitën e saj edhe më shumë dhe të mbivendoset si lidere”, thotë ai.

Analisti Ilir Ibrahimi e cilëson të gabuar qëndrimin e qeverisë së Kosovës.

“Po nëse nisemi nga fakti se Kosova është vendi më i izoluar në Evropë një qëndrim i tillë është i pakuptueshëm sepse këto nisma nuk janë nisma të Novi Sadit siç e quan qeveria por janë nisma që kanë ardhur nga dy qendrat më të fuqishme botërore pra nga Uashingtoni dhe Brukseli dhe të dalësh kundër nismave të tilla atëherë duhesh të kesh alternativë”, thotë ai.

Zoti Fetahu thotë se as Kosova dhe as rajoni, nuk kanë nevojë për nisma që synojnë zëvendësimin e agjendës së integrimeve evropiane.

“Ky model besojmë që ka një tendencë të replikimit të modelit të ish Jugosllavisë, ku një shtet është më i fortë se tjetri dhe gjithçka është brenda karakterit regjional, prandaj edhe për këtë arsye kjo nismë është mirë që nuk është përkrahur“, tha zoti Fetahu.

“Në asnjë moment unë nuk i kam parë deklarimet të cilat kanë ardhur nga zyrtarët e Uashingtoni apo Brukselit se Kosova nuk do të jetë e barabartë në këtë tryezë mirëpo Kosova e bën vetën të pa barabartë nëse nuk merr pjesë në këto tryeza. Pra, ku është interesi i këtyre dy fuqive të mëdha, pra Ëashingtonit dhe Brukselit që të krijojnë edhe një Jugosllavi të re, kur dihet që këto dy qendra kryesore kanë shkuar deri te bombardimi i asaj Jugosllavie për të krijuar vende të pavarura siç është edhe Kosova“, thekson zoti Ibrahimi.

Zoti Fetahu thotë se nismat e tilla në këtë periudhë e dëmtojnë Kosovën edhe në procesin e bisedimeve me Serbinë e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

“Po ashtu nuk ka nevojë të jetë pjesë e një lloj iniciative kur as vendet e Ballkanit Perëndimor nuk janë të gjitha të pranishme marr parasysh se edhe Mali i Zi nuk ka pranuar, Bosnja dhe Kosova po ashtu, kështu që edhe nisma e mini Shengenit ka qenë gjysmake ku tash është krijuar një lloj trio e shteteve. Besoj që këto janë arsye të shumta dhe të duhura pse pozicioni i Kosovës është mirë që nuk është pjesë e kësaj nisme dhe në këtë situatë është mirë që është refuzuar kategorikisht pjesëmarrja në këtë iniciativë rajonale“, thotë zoti Fetahu.

Por, analisti Ibrahimi thekson se Kosova duhet të ndjekë interesat e saj pavarësisht vendeve tjera të rajonit.

” Në një nismë të tillë nuk duhet harruar që jemi dy shtete të cilat janë të një etnie pra është Kosova dhe Shqipëria. Nëse je pjesë e një iniciative të tillë dhe dy nga ato gjashtë votat do të ishin vota shqiptare, atëherë nuk e kuptoj pse nuk duhet të jemi pjesë e kësaj, pra është e pakuptimtë. Ne duhet të jemi gjithmonë të interesuar për integrime, ku të mund të futemi në integrime të tilla duhet të futemi sepse ne jemi të izoluar, qytetari i Kosovës nuk mund të bëj asnjë hap pa e pasur një vizë ndërkohë që të gjitha vendet që kemi përreth i kanë liberalizimin e vizave dhe janë në procesin e integrimeve ndërkohë që ne jemi duke shkuar në rrugën e kundërt, jemi duke u izoluar gjithnjë e më tepët. Kujt i intereson kjo për popullatën më të re në Evropë është shumë e pakuptimtë“, thotë zoti Ibrahimi.

Ideja e “mini-Shengenit” ballkanik, që u paraqit në Novi Sad të Serbisë në tetor të vitit 2019, asnjëherë nuk ka siguruar mbështetje të rëndësishme në Kosovë e cila sikurse Mali i Zi dhe Bosnja, nuk kishte marrë ftesë as për takimin e sotëm në Shkup.

/VOA

Artikulli paraprakRASTET E REJA ME COVID-19, GREQIA ‘SKANON’ ISHUJT, MYKONOS DHE IOS RREZIKOJNË MASAT KUFIZUESE, NË ‘LUPË’ DHE ZAKYNTHOS, SANTORINI E RODOS
Artikulli tjetërSHKODRA NË KËMBË PËR VLLAZNINË, NË “LORO BORIÇI” KËRKOHET NJË TJETËR MREKULLI