Ka dështuar pista e afrimit të një mesfushori brazilian te Vllaznia. Këta të fundit prisnin që të nënshkruanin në ditën e fundit të merkatos me fantazistin brazilian Queven, por duket se gjërat kanë marrë një rrjedhë krejt tjetër. Kështu, duket se oferta e klubit kampion të Kosovës, Ballkani, i ka ndërruar mendje brazilianit. Në fakt, nga ajo që mësohet është se ky mesfushor ka qenë në bisedime prej disa ditësh me klubin shkodran, gjë të cilën e pohoi edhe vetë trajneri i Vllaznisë, Qatip Osmani, në studion e “Star Sport”, ku ishte i ftuar me 22-janar.

25-vjeçari shihej si një përforcim i rëndësishëm për skuadrën shkodrane, por duket se oferta e drejtuesve nuk ka qenë e duhura në drejtim të tij. Megjithatë, përveç kësaj, në transferimin e mesfushorit te Ballkani, kanë ndikuar edhe faktorë të tjerë. Kështu, nga sa mësohet nga burime pranë menaxherit të lojtarit, përveç aspektit financiar në këtë mes, ku klubi kosovar ka ofruar disi më shumë se Vllaznia, mesfushorin brazilian e ka bindur edhe historia e suksesshme që ka Ballkani me pjesëmarrjen në Kupat e Europës.

Poashtu, një rol të madh në këto negociata ka luajtur edhe drejtori sportiv i Ballkanit, Omer Bunjaku, i cili e ka pasur fantazistin brazilian edhe më parë tek Shkupi dhe falë marrëdhënieve të mira që kanë patur së bashku, duket se edhe ai ka pasur ndikimin e tij në këtë transferim të Queven tek klubi kosovar. Si rrjedhojë, tashmë braziliani është prezantuar nga klubi i Ballkanit si përforcimi më i fundit i skuadrës kosovare.

Artikulli paraprakHAPET FILIALI I DYTË “MISH TE SHEMSI”
Artikulli tjetërBASKET FEMRA, VLLAZNIA FITORE ME VLERË NDAJ TEUTËS