Disa imazhe të papublikuara më parë të vëllezërve Janaki dhe Milton Manaki u shfaqën në një ekspozitë në muzeun kombëtar të fotografisë “Marubi” në qytetin e Shkodrës kuruar nga drejtori i këtij institucioni Luçian Bedeni. Kjo ekspozitë vjen si një bashkëpunim me Arkivën e Shtetit të Maqedonisë së Veriut, departamentin e Manastirit, qyteti ku u vulos alfabeti shqiptar dhe ku vëllezërit Manaki u vendosën në vitin 1905 duke u kthyer në fotografë dhe xhirues filmik tejet të rëndësishëm. Vëllezërit Manaki udhëtuan kudo në Ballkan duke fotografuar.
Drejtori i arkivit në Maqedoninë e Veriut Goce Stojanovski dhe bashkëpunëtori i kësaj ekspozite Dimitar Gjorgievski tregojnë se koleksioni i vëllezërve Manaki është më shumë se histori dhe se i përkasin të gjithë Ballkanit.
Kjo ekspozitë në muzeun “Marubi” i kushton një vëmendje të veçantë popullatave lëvizëse, përafërsive etnografike dhe ritualeve të ngjashme të popujve të Ballkanit, të cilët i gjejmë të pasqyruar në rrugëtimet e Manakëve në rajon të cilët njihen si xhiruesit e parë të filmit në Ballkan. Koleksioni i vëllezërve Manaki i ruajtur në Arkivin Historik të Manastirit, përmban fotografi por edhe 49 kamera dhe materiale të tjera, prej së cilave njihen edhe si themelues të kinematografisë në Maqedoninë e Veriut. Ky aktivitet është një nga stacionet e sezonit veror “KultArt” 2023, organizuar nga Ministria e Kulturës dhe i realizuar në bashkëpunim me Arkivën e Shtetit të Maqedonisë së Veriut – Departamenti i Manastirit.