Sipas qeverisë gjermane në Ballkanin Perëndimor vazhdon të ketë potencial rreziku nga skena islamiste. Më shumë udhëtime drejt Sirisë dhe Irakut ka nga fshatrat e Bosnjes me përqëndrim të salafizmit. Qeveria federale nuk e përjashton “parimisht një potencial kërcënimi nga ana e dorasve të veçantë dhe grupimeve të veçuara prej skenës islamiste” në Bosnje-Hercegovinë. Kjo del nga një përgjigje e qeverisë federale lidhur me kërkesën e paraqitur nga grupi parlamentar i partisë E Majta në Bundestag, që e disponon DW ekskluzivisht.

Ka kontakte të veçuara mes islamistëve radikalë nga Ballkani me ata në Gjermani. Por Shërbimi Federal i Informacionit (BND) nuk ka të dhëna konkrete për rritjen e tendencave islamiste në Bosnje. Në një artikull të gazetës Berliner Zeitung nëntorin e kaluar thuhej, se BND gjithnjë e më shumë po e fokuson vëmendjen tek vendet e Ballkanit, veçanërisht në Bosnje-Hercegovinë. Por mbetet vend për spekulime, sepse përgjigjet konkrete ndaj kërkesës së grupit parlamentar të së majtës mbahen sekret.

Qeveria nuk donte të pozicionohej publikisht për pagesat e mundshme të shteteve të Gjirit persik ndaj vendeve të Ballkanit. E njëjta gjë vlen edhe për dërgimin e imamëve nga Arabia Saudite dhe Turqia për në Bosnje. “Ndryshe nga BND-ja qeveria federale përpiqet ta minimizojë në opinionin publik rrezikun në rritje prej islamizmit”, mendon Sevim Dagdelen, eksperte për politikën e jashtme në grupin parlamentar të së majtës.

Numri në rritje i islamistëve të gatshëm për dhunë në Ballkan ka pasoja të rënda ndaj sigurisë në Gjermani. “Po ashtu është e papranueshme, që qeveria vazhdon ta mbajë të fshehtë rolin e shteteve të Gjirit Persik,e në radhë të parë atë të Arabisë Saudite, por edhe të Turqisë”, thotë për DW Dagdelen.

Artikulli paraprak“SHPIRTI JOT U PREFTË NË PAQE”, FAMILJARËT E ALDISONIT VENDOSIN LULE NË VENDIN KU U VRA ARIELA
Artikulli tjetërRAPORTI VJETOR/ KËTO JANË VENDET QË “VRASIN” DEMOKRACINË, JA KU RENDITET SHQIPËRIA