Itali – Banda shqiptare kryen 114 grabitje prej 200 mijë eurosh
Një grup shqiptarësh kanë kryer të paktën 114 grabitje brenda dy viteve me një vlerë totale 200 mijë euro. Operacioni i koduar “Selfie”, bëri të mundur zbulimin e një grupi kriminal, hetimet për të cilin kanë nisur në korrik të vitit 2015. Në pranga përfunduan ditët e fundit, shqiptarët Bedri Demaj, 31 vjeç dhe Armir Gjecaj, 26-vjeç, përgjegjës bashkë me një të tretë për katër grabitje në janar të këtij viti në Riva Del Garda, ku kanë arritur të vjedhin shuma 20.000, 40.000, 4925 dhe 180 euro, krahas dëmeve materiale të tjera të shkaktuara në 4 shtëpi, të cilat u grabitën brenda pak orësh. Shqiptari i tretë, Ilir Ndrejaj është arrestuar gjatë muajit korrik të këtij viti në Cassano d’Adda (Milano). Përpjekja për arrestimin e tyre u bë më 6 janar të këtij, por që shqiptarët mund të arratiseshin, ndërsa makina e policisë u përplas gjatë ndjekjes. Sipas aktakuzës, Demaj, për të siguruar arratisjen e dy të tjerëve, kishte goditur një polic. Dy shokët e tij kaluan natën në një pyll pavarësisht temperaturave të ftohta. Ilir Ndrejaj të nesërmen kishte marrë një taksi dhe ishte kthyer në Riva del Garda dhe më vonë në Milano për t’i shpëtuar ndjekjes. Pas identifikimit të tij, policia arriti të identifikonte edhe shqiptarin tjetër Armir Gjecaj, i cili kishte një bar në Cassano d’Adda. Pjesë e bandës ishte edhe Dorjan Gjoka, që sipas mediave italiane jeton në Shqipëri dhe kërkohet ekstradimi i tij.