Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko ka zhvilluar një takim me drejtorët e përgjithshëm të bankave tregtare dhe përfaqësues të Shoqatës Shqiptare të Bankave dhe iu ka kërkuar që t’ju vijnë në ndihmë të gjithë klientëve që janë të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit e që kanë blerë banesat me kredi.

Gent Sejko ka thënë se tashmë bankat duhet të  shikojnë portofolet e kredive dhe të mos lejojnë që kjo situatë të shkaktojë ngadalësimin e ritmit të kreditimit të ekonomisë.

Sakaq për të gjithë ata kredimarrës që kanë pësuar dëme nga tërmeti dhe në rastin më të keq kanë humbur banesën e tyre, bankat do të ofrojnë bashkëpunim dhe do të analizojnë situatën me kompanitë e sigurimit.

Po ashtu bankat kanë deklaruar se po vlerësojnë individualisht të gjithë klientët e tyre kredimarrës të prekur nga tërmeti, për të pasur një panoramë më të qartë të situatës, për të ristrukturuar kreditë përkatëse, nëse do të jetë e nevojshme, pa aplikuar kosto shtesë. Pra nëse një person duhet të paguajë 5 milionë lekë në 10 vite, banka mund ta zgjasë afatin deri në 20 vite pa marrë përqindje interesi të shtuar.

Po ashtu si guvernatori Sejko ashtu edhe përfaqësuesit e bankave në shenjë solidariteti, po vlerësohen individualisht mundësitë për të kontribuar me donacione të formave të ndryshme.

Artikulli paraprakMES TRONDITJES, VJEN NJË LAJM I MIRË PËR ARSIMIN
Artikulli tjetërASNJË DËM STRUKTUROR NË NDËRTIMET PAS ‘90