Bangladeshi është bërë shteti i 114 në botë që ka njohur pavarësinë e Kosovës, pasi kabineti qeveritar i këtij vendi ka miratuar njohjen e Republikës së Kosovës si një shtet sovran dhe i pavarur.
Sekretari i kabinetit, Mohammad Shafiul Alam informoi reporterët gjatë një takimi rutinë të zhvilluar në Sekretariat gjatë kësaj të hëne, për vendimin më të fundit. Vendimi vjen pas propozimit që kishte dorëzuar më herët Ministria e Marrëdhënieve të Jashtme për kabinetin qeveritar. Lajmi është raportuar nga gazeta “Dhaka Tribune”, por është konfirmuar edhe nga ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, përmes një postimi në rrjetin social “Twitter”, ku i dërgon njëkohësisht falenderimet e tij qeverisë dhe popullit të Bangladeshit. Republika e Kosovës shpalli pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008 dhe vetëm 10 ditë më parë festoi 9-vjetorin e shkëputjes nga Serbia. Mes atyre që e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur janë edhe Shtetet e Bashkuara, Shqipëria, Gjermania, Franca, Afganistani dhe Australia, por mbeten edhe 5 shtete të Bashkimit Europian për ta bërë diçka të tillë, mes të cilave Spanja, Rumania, Greqia, Qipro dhe Sllovakia.