Prej disa muajsh, Shqipëria dhe Shkodra po kalojnë një situatë të vështirë ekonomike. Rritja e çmimeve që shoqëroi atë të rritjes së çmimit të karburanteve, ka shtuar problemet ekonomike të qytetarëve.
Jo pak prej tyre, me shumë vështirësi arrijnë të përballojnë jetesën. Imagjinoni të keni edhe një kredi në bankë, me këste të përmuajshme. Po sikur këto këste të rriten nga muaji në muaj, pavarësisht asaj që është rënë dakort në marrëveshjen që kreditori ka bërë me bakën?
Prej disa ditësh, qytetarë të shumtë përcjellin shqetësimin e tyre në Star Plus Televizion. Banka Credins, muaj pas muaji rrit këstin e kredimarrësit, duke dhënë aryetime nga më të ndryshmet.
Çdo kreditor, i drejtohet bankës dhe nënshkruan një kontratë. Aneks i saj është edhe listpagesa mujore sipas muajve, e cila është e përcaktuar qartë. Por Banka Credins e ndryshon këtë këst dhe muaj pas muaji, kreditorët duhet të paguajnë më shumë, duke nxjerrë para nga xhepat e tyre për ti futur si pjesë e fitimit të saj.
Por ka edhe më. Shumë qytetarë ankohen se detyrohen të paguajnë një shumë ekstra edhe kur kësti i kredisë nuk shlyhet në kohë nga kredi marrësi dhe kur fajtore është vetë banka.
Sigurisht, situata të tilla, në kushtet e vështirësive gjithnjë në rritje për shkak të çmimeve të pandalshme në stratosferë, krijojnë reagime tek qytetarët dhe dritarja e vetme për ti dhënë zë, mbeten mediat.
Në ditët në vijim, do të përpiqemi të kontaktojmë për të mësuar arsyen e rritjes së këstëve mujore të kreditorëve nga kjo bankë por edhe tarifat e tjera ekstra që përfiton për shkak të vetë problematikave organizative që Banka Credins mund të ketë.