Banka e Shqipërisë njoftoi të martën zgjatjen edhe me një vit tjetër të marrëveshjes së saj të likuiditetit me Bankën Qendrore Europiane (ECB). Marrëveshja e mëparshme përfundonte në janar të vitit 2024, ndërsa pas përtëritjes ajo do të jetë e vlefshme deri në janar 2025. Linja e kredisë në fjalë u miratua për herë të parë në vitin 2020, pas shpërthimit të pandemisë dhe kishte si qëllim sigurimin e likuiditetit në Euro për institucionet financiare të vendit, nëpërmjet bankës qendrore.
Pavarësisht se deri tani kjo marrëveshje huaje e kolateralizuar (REPO) nuk ka qenë e nevojshme të përdoret, Banka e Shqipërisë vlerëson se ky instrument rezervë mbetet mbështetës për stabilitetin monetar dhe financiar të Shqipërisë, në kuadër të pasigurive të shtuara, që vijnë nga vazhdimi i luftës së Rusisë në Ukrainë, tensionet në Lindjen e Mesme, dhe rreziqet e tyre potenciale për ekonominë globale dhe tregjet financiare. Marrëveshje parashikon që Banka e Shqipërisë të mund të sigurojë financime për nevoja likuiditeti nga BQE deri në vlerën e 400 milionë eurove, në këmbim të një kolaterali të përshtatshëm në Euro. Kolaterale të këtij lloji zakonisht janë titujt e borxhit të qeverive apo institucioneve me vlerësim sovran sipër një niveli të caktuar, të pranuar nga BQE-ja. Banka e Shqipërisë disponon sasi të konsiderueshme të instrumenteve të tilla, si pjesë e portofolit të rezervës valutore.
Deri para vitit 2020, Banka e Shqipërisë dhe bankat e tjera të rajonit nuk kishin në dispozicion mekanizma të sigurimit të likuiditetit nga BQE-ja dhe instrumenti EUREP ishte i pari i këtij lloji.