Në mbledhjen e datës 3 prill 2019, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe vendosi miratimin e Deklaratës dhe Raportit të Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e dytë 2018.
Raporti i Stabilitetit Financiar është një nga dokumentet e rëndësishme periodike të përgatitura nga Banka e Shqipërisë, me qëllim kryesor identifikimin dhe vlerësimin e rreziqeve me të cilat operon sistemi financiar dhe infrastruktura e tij.
Në hyrje të dokumentit vendoset Deklarata e Stabilitetit Financiar, publikimi çdo gjashtë muaj i së cilës është një kërkesë që buron nga Ligji “Për Bankën e Shqipërisë”.
Në këtë raport, Banka e Shqipërisë vlerëson se zhvillimet në ekonominë reale dhe tregun financiar, gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2018, mbështetën zgjerimin e veprimtarisë së sistemit financiar në vend dhe të sektorit bankar.
Ndryshimet që po ndodhin në strukturën e sektorit bankar, janë shoqëruar me rritjen e peshës së kapitalit vendas dhe uljen e numrit të bankave. Ky proces, pritet të kontribuojë pozitivisht në ecurinë e ndërmjetësimit financiar.
Ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve të veprimtarisë mbeti i kontrolluar, në kushtet kur kreditë me probleme vijuan rënien, treguesit e rreziqeve të tregut nuk patën ndryshime gjatë periudhës, dhe treguesit e likuiditetit ishin në nivele të larta.
Rezistenca e sektorit bankar ndaj këtyre rreziqeve vlerësohet e fortë, në kushtet kur veprimtaria e tij paraqitet me fitim dhe kapitalizimi i tij është në nivele të mira. Në vijim të këtyre zhvillimeve, Banka e Shqipërisë vlerëson se sektori bankar mbetet i qëndrueshëm.