Bankat shtrënguan kredinë për biznesin në tremujorin e tretë, për shkak të frikës nga kreditë e këqija dhe perceptimit mbi situatën ekonomike.
Banka e Shqipërisë raportoi se kredidhënia u shtrëngua veçanërisht për korporatat e mëdha që mbajnë peshën kryesore të ekonomisë, ndërsa për individët bankat janë treguar më dorëlëshuara. “Politika shtrënguese e kredive për biznese u zbatua nëpërmjet rritjes së kërkesave për kolateral, ndërsa për individët lehtësimi erdhi nga ulja e interesave dhe komisioneve”, vlerëson BSH. Pas një ritmi pozitiv në fillim të vitit kredia për ekonominë u ngadalësua sërish gjatë verës. Sipas të dhënave zyrtare nga Banka e Shqipërisë në gusht, kredia u rikthye gati në stanjacion, me një rritje të papërfillshme prej 0.1 përqind, krahasuar me një vit më parë. “Faktorët kryesorë për shtrëngimin e kredisë ndaj bizneseve mbeten kreditë me probleme, problemet specifike të sektorit dhe perceptimi i bankave mbi situatën makroekonomike”, thotë BSH. Banka e Shqipërisë vëren se standardet e kredisë për biznesin do të mbeten të pandryshuara edhe gjatë tremujorit të katërt, ndërsa ato për individët do të vazhdojnë të lehtësohen. Kushtet e shtrënguara të kredisë për ndërmarrjet duket se janë një nga shkaqet kryesore për ngërçin e kredisë, pasi siç raporton Banka e Shqipërisë, kërkesa për kredi nga bizneset është rritur.