Kriza e çmimeve dhe pasiguria që fuqia paguese e bizneseve dhe qytetarëve mund të ulet, ka bërë që bankat të nisin mbrojtjen. Në tremujorin e dytë që përkon me periudhën e luftës prill-qershor, bankat kanë shtrënguar standardet e kredidhënies. Banka e Shqipërisë raporton se në këtë periudhë kriteret janë shtrënguar më shumë në aprovimin e kredive për investime.

“Politika më e shtrënguar e kreditimit për bizneset, krahas standardeve, u faktorizua edhe në kushte dhe terma më pak favorizuese”, thuhet në raportin e politikës monetare të Bankës së Shqipërisë. Kjo qasje e bankave është shoqëruar edhe me rritje të numrit të aplikimeve për kredi që janë refuzuar.

“Perceptimi i bankave për rrezikun lidhur me perspektivën e sektorit ku operojnë bizneset, me gjendjen financiare të bizneseve; faktorët e lidhur me kuadrin e politikave të kreditimit të bankave, me aftësinë paguese të kredimarrësit; si dhe historiku i kreditit nga regjistri i kredive ndikuan në shtimin e numrit të refuzimeve për kredi gjatë këtij tremujori”, thotë Banka e Shqipërisë. Shtrëngimi i standardeve të kredisë ishte në disa aspekte, si: reduktim i madhësisë së kredisë së dhënë për bizneset, kërkesa më të larta për kolateral, si dhe ju jepet më pak kohë për ta shlyer. E njëjta situatë raportohet edhe për tremujorin e tretë të vitit 2022.

Por pavarësisht kushteve të shtrënguara për kredidhënie, kërkesat e biznesit për hua ishin në rritje të orientuar kryesisht për mbulimin e nevojave për financimin e inventarëve, kapitalit qarkullues, si edhe të investimeve. Kurse për individët bankat kanë ndjekur një përqasje më të favorshme kreditimi, ndërkohë që kërkesa ka qene e fokusuar tek kredia për blerje banesave.

Artikulli paraprakTRAGJEDIA ME 10 VIKTIMA NË MALIN E ZI! ZHVILLOHEN HOMAZHE NË CETINJE
Artikulli tjetërRIKTHEHEN TEMPERATURAT E LARTA, ÇFARË NDODH ME MOTIN JAVËN E ARDHSHME