Banorët e Kaçinarit në Mirditë kanë larguar nga zona e tyre makineritë e firmës e cila po ndërton HEC-et.
Banorët fillimisht kanë bërë një dëgjesë publike me administratorin e kompanisë “Shperdhaza Energji” Ndue Shkurti, por nuk kanë pranuar asnjë lloj kompromisi, ndërsa kanë kërkuar me cdo kusht largimin makinerive që po merren me ndërtimin e HEC-ve në zonën e Kaçinarit.
Banorët në deklaratat e tyre kanë qenë të prerë se nuk do të lejojnë ndërtimin e asnjë HEC-i në zonën e tyre. “Firma me mashtrimet e saj ka nisur të ndërtojë rrugën që më pas të bëjë HEC-et, por ne i kemi paralajmëruar që nuk do t’i lejojmë në asnjë mënyrë, uji është i joni dhe nuk do ja lëmë askujt.
Kësaj here i kemi larguar përfaqësuesit e firmës nga zona herën tjetër do i kemi punët ndryshe, ne Kacinar nuk do të ndërtohet HEC” thanë ata.
Banoret e fshatrave që preken nga ndërtimi i HEC-eve në Njësitë Administrative Kaçinar e Selitë në Mirditë protestuan edhe pak muaj më parë në qendër të qytetit të Rrëshenit, duke kundërshtuar zbatimin e këtyre projekteve në zonën e tyre.