Banorët e fshatrave që lidhen me rrugën e Komanit nuk do të dorëzohen edhe pse qeveria ka anulluar tenderin që miratoi pak kohë më parë për rikonstruksionin e atij aksi që cilësohet si porta e alpeve shqiptare. Banorët zhvilluan një takim me kryetarin e bashkisë Vau Dejës Mark Babani dhe në fund është vendosur që t’i dërgohet një shkresë qeverisë dhe ministrisë së infrastrukturës për të rikthyer projektin e rikonstruksionit të rrugës së Komanit e cila është tërësisht e amortizuar.

Kryetari i bashkisë Vau Dejës Mark Babani tha se është në anën e banorëve dhe është kritik ndaj Koorporatës Elektroenergjitike Shqiptare e cila shfrytëzon atë zonë me 3 hidrocentrale por nga ana tjetër ka lënë në harresë për mbi 30 vite rrugën në të cilën kalojnë një numër i madh turistësh që shkojnë drejt Komanit, Lumit të Shalës, Tropojës dhe shumë zona të tjera turistike atje.

Pak kohë më parë banorët e Komanit protestuan pasi ministria e infrastrukturës njoftoi anulimin e tenderit që ishte miratuar më parë nga KESH për rikonstruksionin e atij aksi. Ndërkohë nismat e banorëve do të vijojnë derisa rruga Vau Dejës – Koman të rikonstruktohet.

 

Artikulli paraprakSHKODËR, ORGANIZATA POLITIKE AKSION PËR KARTËN SOCIALE
Artikulli tjetërFESTAT, FLUKS HYRJESH TË EMIGRANTËVE NË MURIQAN