Kanali i Oblikës në njësinë Ana e Malit ndër vite vijon që të jetë i ndotur. Banorët aty por edhe bizneset në afërsi të atij kanali pothuajse çdo ditë derdhin sasi të mëdha mbeturinash. Edhe pse aty pranë ndodhen disa kazanë për hedhjen e mbeturinave, banorët preferojnë t’i hedhin në kanal. Vetë banorët janë koshient se kjo papastërti vjen si shkak i papërgjegjshmërisë së tyre.
Shqetësues është fakti se duke qenë se është ujë i rrjedhshëm merr mbeturinat me vete të cilat më pas përfundojnë në ujërat e lumit Buna duke ndotur edhe këtë të fundit. Për të mos mjaftuar kjo zonë është ndër më të frekuentuarat në fshatin Oblikë. Sheshi aty pranë shfrytëzohet nga fëmijët e asaj zone për të luajtur. Në këtë mënyrë rreziku i përhapjes së ndonjë sëmundje është e madhe. Nga ana e saj njësia Ana e Malit ka tentuar disa herë ta pastrojë zonën por është e pamundur ta realizojë plotësisht duke qenë se çdo ditë hidhen sasi të mëdha mbeturinash të cilat mbushin kanalin e Oblikës.
Star Plus komunikoi edhe me përfaqësuesit e njësisë Ana e Malit të cilët theksuan se duke qënë se ndërgjegjësimi i banorëve vijon të jetë i ulët atëherë ky institucion do të marr masa të tjera në mënyrë që ky fenomen të marr fund. Ata shprehen se njësia në bashkëpunim me organet ligjzabatuese do të gjobisë personat e papërgjegjshëm të cilët vijojnë të ndotin mjedisin.