Disa grabitje të dhunshme, duke përfshirë edhe grabitjen e një diplomati të huaj kanë tërhequr vëmendjen ndaj një vale krimesh në Barcelonë, duke alarmuar banorët dhe autoritetet lokale.
Ambasadori i Afganistanit në Spanjë, Masood Khalili u grabit të dielën mbrëma në Barcelonën qendrore, kur disa sulmues e hodhën atë në tokë dhe i morën orën. Gjatë sulmit, Khalili pësoi dëmtime në këmbë.
Gjithashtu të dielën mbrëma, në një zonë tjetër të kryeqytetit katalanas një grua 91-vjeçare franceze pësoi lëndime në kokë kur hajdutët rrëmbyen gjerdanin e saj.
Ndërkohë, një turist gjerman u trajtua në spital pasi u plaçkit dy ditë më parë në të njëjtën zonë.
Kreu i sigurisë në bashkinë e Barcelonës, Albert Battle, e ka përshkruar situatën si “një krizë krimi”, dhe statistikat duket se konfirmojnë se ky trend filloi të rritej përpara verës.
Në përgjithësi, krimet u rritën me 9% gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2018.
Krimet e dhunshme u rritën për 31% për të njëjtën periudhë (me një rritje prej gati 60% gjatë tre viteve të fundit), ndërsa grabitjet me forcë kundër bizneseve u rritën 66%.
Një zyrtar katalanas thotë se rritja e krimit në qytet është “një efekt kolateral” i rritjes meteorike të Barcelonës si një qendër turistike që kur ajo priti Lojërat Olimpike në 1992.
Megjithatë, vala e krimit i është atribuar gjithashtu sistemit juridik spanjoll. Interpretimi i gjykatave për një reformë të kodit penal në 2015 nënkupton që kriminelët e vegjël për herë të parë rrallë shkojnë në burg, madje edhe ata që kapen nëse vjedhin sende me vlerë më pak se 400 euro, preferojnë të paguajnë më mirë një gjobë sesa të shkojnë në burg.