Deputetja Greta Bardeli ka reaguar për draftin e platformës së bashkimit të demokratëve, të propozuar nga Enkelejd Alibeaj duke thënë se nuk ka firmë nga ana e saj ndërsa theksoi se qëndrimi i saj është publik. Deputetja e PD thotë se nuk është bërë asnjëherë pishman dhe po bëhen lojëra fjalësh duke përmendur edhe emrin e saj.
Bardeli kërkon me urgjencë një mbledhje të grupit parlamentar të PD në mënyrë që të dëgjohet qëndrimi i saj dhe i të gjithë kolegëve. Në këtë ditë Pashke, Bardeli shkruan se mesazhi duhet të jetë për të bashkuar të gjithë demokratët për hir të interesit qytetar.
“Një sqarim për një lojë fjalësh që është përhap në disa media sot për gjoja përfaqësues te PD që kanë firmos draftin dhe që më pas u bënë “pishman” duke përdor në këtë rast emrin tim si deputete!!
Më vjen keq ta them, por është qesharak ky lajm nga fillimi në fund!
Lidhur me sajesa të tilla që i konsideroj “të lodhura” i sugjeroj mediave që për çdo sqarim mund të më kontaktojnë nëse kanë nevojë, që mos këtë keqinformim të këtij lloji nga kushdo që i shpërndan apo më keq akoma botohen pa patur fakt. Është e qartë që firmë nga ana ime nuk ka dhe nuk ka patur përsa kohë nuk përputhet me qendrimin tim që tashmë është publik. Deklarata është publike në FB tim drejtuar demokratëve dhe bashkëqytetarëve në Shkodër.
Për më tej kërkoj sa më parë mbledhje të grupit parlamentar të PD për tu dëgjuar qëndrimi im dhe i gjithë kolegeve tanë pa përjashtim! Mesazhi i ditës së Pashkës duhet të udhëheq në rrugën e bashkimit të gjithë ne për hir të interesit qytetar! Ditë të mbarë!”, shkruan Bardeli në Facebook.
Kujtojmë se në një deklaratë për mediat, Alibeaj propozoi një platformë me 6 pika për zgjidhjen e krizës brenda PD. Alibeaj deklaroi se arriti që të siguronte 31 firma deputetësh që përkrahin planin, mes tyre edhe Lulzim Basha, por tashmë kësaj liste i kanë mbetur vetëm 29 emra.
Në këtë listë përfshihej dhe emri i deputetes Greta Bardeli si mbështetëse e platformës së Alibeajt, por vetë ajo reagoi duke thënë se partia ka nevojë për një platformë që të mbështetet nga të gjithë deputetët e zgjedhur më 25 prill nga radhët e PD, duke mos përjashtuar kështu edhe Sali Berishën.