Dy automjete janë djegur në orët e para të mëngjesit të sotëm në fshatin Bardhaj të njësisë Rrethina në Shkodër. Sipas policisë vendore të Shkodrës ngjarja ka ndodhur rreth orës 3:00 të mëngjesit. Këto janë edhe fotografitë e dy automjeteve të djegura në Bardhaj. Policia vendore e Shkodrës bën me dije se dy automjetet i përkasin dy shtetasve me inicialet G.K dhe M.K.
Sapo kanë konstatuar flakët janë njoftuar forcat zjarrëfikëse të cilat kanë mbërritur në vendngjarje në Bardhaj por njëri prej automjeteve është djegur plotësisht ndërsa makina tjetër më shumë është dëmtuar nga flakët në pjesën e brendshme të saj. Pas njoftimit për këtë zjarr në vendngjarje kanë mbërritur edhe forcat e policisë duke nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e plota të zjarrit.
Ndërkohë sipas burimeve mësohet se djegia e dy automjeteve në Bardhaj është e qëllimshme nga persona ende të paidentifikuar. Efektivët zjarrëfikës nuk e kanë bërë ende aktin e ekspertizës por nga të dhënat paraprake dyshohet se është një zjarrvënie e qëllimshme. Sipas dyshimeve këto dy makina kanë marrë flakë si shkak i lëndës djegëse benzinë. Dy automjetet ndodheshin të parkuara në një distancë prej afro10-15 metrash gjë e cila ngjall dyshime se kemi të bëjmë me një djegie të qëllimshme.
Dy pronarët e këtyre automjeteve, shtetasit G.K dhe M.K nuk kanë ndonjë lidhje fisnore me njëri-tjetrit por janë të njohur se kanë banesat afër njëri-tjetrit në fshatin Bardhaj të njësisë Rrethina. Sipas policisë këto dy makina në momentin kur ka ndodhur ngjarja kanë qenë të parkuara në oborrin e shtetasit me inicialet M.N, 29 vjeç. Dy pronarët e makinave të djegura i parkonin thuajse çdo aty automjetet e tyre.
Dy shtetasit, mjetet e të cilëve përfunduan në flakë kanë deklaruar për policinë se nuk e kanë idenë se kush mund të jenë autorët dhe se nuk kanë ndonjë konflikt me ndonjë person. Policia ka nisur hetimet por janë ende të paqarta arsyet e kësaj ngjarje ndërsa efektivët po punojnë për zbardhjen e plotë edhe pse është tejet e vështirë për shkak të errësirës dhe territorit të hapur në zonën e Bardhajve.