Policia Vendore e Shkodrës ka arrestuar dy shtetasit e plagosur mbrëmjen e kaluar në fshatin Bardhaj ndërsa është shpallur në kërkim nga policia edhe shtetasit ndaj të cilit qëlluan dy vëllezërit. Kështu efektivët kanë vënë në pranga dy vëllezërit me inicialet M.D 23 vjeç dhe H. D 30 vjeç. Arrestimi i tyre është bërë në kushtet spitalore teksa ndodhen në spitalin e traumës në Tiranës jashtë rrezikut për jetën nën mbikqyrje nga forcat e policisë si të dyshuar për veprat penale “vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë” si dhe “mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”. Nga ana tjetër që mbrëmë policia ka identifikuar personin tjetër me inicialet B.P i cili është në kërkim dhe është i dyshuar për veprën penale “vrasje në rrethana cilësuese e mbetur në tentativë” dhe “mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”. Sipas policisë kanë qenë dy vëllezërit që kanë qëlluar në ndaj shtetasit B.P dhe ky i fundit i është kundërpërgjigjur duke qëlluar në drejtim të tyre me automatic kallashnikov dhe duke i lënë të plagosur. Nga sa mësohet policia vendore e Shkodrës bën të ditur se kjo ngjarje ka ardhur për motive të dobëta mes palëve duke mos dhënë sqarime të mëtejshme. Dy shtetasit e plagosur në deklarimin për policinë ata kanë thënë se nuk kemi asnjë konflikt dhe se është personi tjetër që ka qëlluar në drejtim të tyre. “Ishim tek makina kur një person u afrua dhe qëlloi drejt nesh në mënyrë të papritur. Nuk e kemi idenë përse na ka qëlluar sepse nuk kemi ndonjë konflikt”, mësohet të kenë thënë dy vëllezërit për policinë duke mos pranuar që të japin asnjë detaj shtesë lidhur me arsyen përse janë qëlluar. Sipas policisë mes palëve ka patur shkëmbim zjarri dhe janë sekuestruar prova materiale që shërbejnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes që janë gëzhojat e plumbave të të dy palëve, mjeti tip audi pa targa i vëllezërve dhe gjurmë të tjera. Policia e Shkodrës vijon hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje si dhe vijon puna për gjetjen dhe kapjen e shtetasit me inicialet B.P. Që mbrëmë por edhe gjatë ditës së sotme një grup i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë ka qëndruar në vendin ku ndodhi plagosja për të shmangur çdo lloj konflikti tjetër pasi të dy familjet jetojnë afër njëra-tjetrës.

Artikulli paraprakBASKET MESHKUJ, VLLAZNIA FITON 85-79 ME RIVALËT E TEUTËS
Artikulli tjetërPROBLEMET NË BARDHAJ, BANORËT PROTESTË: NUK VOTOJMË