Përfaqësuesja e OSBE-ODIHR në vendin tonë Clarisse Pasztory ka zhvilluar një takim me deputetët Gazment Bardhi, Oerd Bylykbashi, Fatmir Mediu dhe Petrit Vasilin për të diskutuar mbi Reformën Zgjedhore, komisioni për të cilën pritet të mblidhet të premten më 19 janar. Pas këtij takimi, ka reaguar Bardhi i cili nëpërmjet një shkrimi në rrjetin social ‘X’, shprehet se Reforma Zgjedhore është bllokuar nga kryeministri Edi Rama, i cili sipas deputetit të PD, nuk po lejon përfaqësimin e opozitës në komision.

“Përfaqësues të opozitës u takuan sot me Kryetaren në Detyrë të Prezencës së OSBE-së zj. Pasztory. Riktheksuam se për opozitën Ref. Zgjedh është një pritoritet, që është bllokuar dhe po vazhdon të bllokohet nga Edi Rama, duke mos lejuar përfaqësimin e opozitës në këtë Komision”, shkruan Bardhi.

Ndërsa më tej, ai theksoi se nuk mund të ketë konsensus për këtë Reformë nëse në nuk ka gjithëpërfshirje të opozitës, e cila sipas tij nuk përfaqësohet nga Alibeaj e Basha të cilët i konsideron si minorancë brenda opozitës. Të premten do të mbahet mbledhja e komisionit bipartizan për Reformën Zgjedhore ku bashkëkryetarë janë Enkelejd Alibeaj dhe Damian Gjiknuri. ‘Grupi’ i deputetëve të Bardhit dhe të Rithemelimit nuk e pranojnë një mbledhje të tillë me argumentin se opozita nuk përfaqësohet nga Alibeaj dhe Basha.

Artikulli paraprakTENSIONET NË KUVEND DHE KOMISONIN E MEDIAS, GRUPI I PS KËRKON MASA NDËSHKIMORE PËR BARDHIN DHE NOKËN
Artikulli tjetërBERISHA FJALIM NGA DRITARJA, MESAZH MBËSHTETËSVE TË TIJ